Home | Culture | Lef Nosi, letërkëmbimet

Lef Nosi, letërkëmbimet

Font size: Decrease font Enlarge font
image

U lind në qytetin e Elbasanit më 9 Prill të vitit 1877 në një familje të pasur ortodokse në lagjen “Kala”. U arsimua fillimisht në vendlindje e më pas në Athinë...

 

 

 

 

 

 

Më Shpalljen e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912, dhe krijimin e shtetit të parë shqiptar Qeveria e Përkohshme e Ismail Qemalit, dukë vlerësuar rëndësinë e shërbimit postar, si një nga mundësitë reale të komunikimit, një javë pas shpalljes së pavarësisë, në përbërje të Qeverisë së Përkohshme ishte edhe Ministria e Post Telegraf Telefonave, më Ministër patriotin e intelektualin e shquar Lef Nosi.

Qeveria e asaj kohë mori në administrim të gjitha zyrat postarë të trashëguara nga perandoria otomane dhe bëri përpjekje të shpejta për identifikimin e shërbimit postar shqiptar.

Më 5 maj 1913 u vu në qarkullim pulla e parë postarë shqiptarë, e cila është një vulë më ngjyrë të zezë, më të cilën u shtypën 2232 zarfa.

 Kjo pullë u vu në qarkullim në 11 qytete, ku funksiononin edhe zyrat postarë si në Tiranë, Shkodër, Durrës, Elbasan etj. Menjëherë pas kësaj u emetuan edhe 6 emisione të tjera të pullës postare shqiptare, dukë filluar kështu edhe koleksionimi i pullave shqiptare, e cila është një histori që pasqyron ngjarjet më të rëndësishme të jetës ekonomike, politike, shoqërore të vendit.

 U lind në qytetin e Elbasanit më 9 Prill të vitit 1877 në një familje të pasur ortodokse në lagjen “Kala”. U arsimua fillimisht në vendlindje e më pas në Athinë. Megjithëse nuk i përfundoi studimet e larta për farmaci,pas kthimit në qytetin e tij, iu kushtua me zell të veçantë punës për njohjen e gjërë dhe të thelluar të historisë dhe të kulturës shqiptare. Formimi i shëndoshë intelektual dhe atdheu i tij, qenë shtysat e forta që Nosi të fitonte rolin e merituar të një protagonisti në ngjarjet e stuhishme, që pararendën ngritjen e flamurit kombëtar në Vlorë. Veprimtaria e ngjeshur kombëtare e bëri shumë shpejt Lef Nosin objekt ndjekjeje për autoritetet osmane. Në 1902 shpëtoi pa u dënuar sepse nuk iu provua fajësia. Ideja e Lef Nosit për Shtetin e Ri Shqiptar mori formë në programin politik që së bashku me Faik Konicën shtypën në Londër më 1907.Më pas merr pjesë dhe në Kongresin e Manastirit.

 Më 28 nëntor 1912, Lef Nosi ishte njëri nga delegatët e Elbasanit për në Kuvendin e Vlorës, së bashku me Mit’hat bej Frashërin, Shefqet bej Daiun dhe Qemal Karaosmanin. Më 25 nëntor 1912, delegacioni i Elbasanit, së bashku me një pjesë të delegacionit të Kosovës, iu bashkuan delegacionit e prijësit të historisë, Ismail bej Vlorës, te lundra e Petovës, në afërsi të Fierit. Ishte nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe anëtar i kabinetit të Ismail Qemalit. Më 4 dhjetor, pas votimit  të bërë ku mori 37 vota, Lef Nosi u zgjodh anëtar i qeverisë si Ministër i Post-Telegrafit.

 Jo më kot qeveria e parë shqiptare pas krijimit të saj do të zgjidhte në vitin 1912 Lef Nosin – Ministër të parë të Post Telegrafës në Shqipëri. Për figurën e tij është shkruar shumë. Me emrin e këtij patrioti lidhet ruajtja e dokumentit të Pavarësisë, por edhe një veprimtari e gjerë atdhetare, politike e shoqërore. Ministria e re e Post- Telegrafës u konsiderua si një ndër ministritë më të rëndësishme të kohës. Nën drejtimin e tij,  Qeveria e Vlorës nxori gjashtë emisione pullash ndër të cilat padyshim më interesanti është Emisioni i Tretë. Ky emision përbëhet nga pullat turke të kohës të vulosura me shqiponjën dykrenore dhe shkrimin Shqipënia. Pulla me vlerë 50 piastër, nga e cila janë emetuar vetëm 16 copë, është shitur në ankandin Chrystone të pullave të rralla 26.000 euro në vitin 2008.

 Më 28 nëntor 1913, ditën e përvjetorit të parë të shpalljes së pavarësisë, nga Vlora iu drejtua nëpunësve të zyrave “Postare e Telegrafike” të Beratit, Fierit, Lushnjës, Skraparit, Mollasit, Elbasanit, Qukësit, Starovës, Lezhës, Shëngjinit e Shkodrës: “Dita e sotme e indipendencës tonë kombëtare të cilën të huajt na e kishin grabitun që nga sot pesëqind vjet asht me e shenjta e ma e lumëta ditë për gjithë kombin shqiptar. Sot stërgjyshënit tonë që derdhën gjakun pa kursim për të mos humbur atë, çojnë kryet nga varret edhe marrin pjesë në këtë kremtim të ngazëllyem, edhe vlleznit tonë që mbetën ndën zgjedhën e anmiqëvet, kremtojnë me zemër bashkë me ne tyke pritur qi sot mot mot të jenë bashkuar me amën Shqipënië. Tyke i lutun Zotit qi të mbushi gjithë shpresat e dëshirët tona ju uroj mot gëzuar ditën e sotme”.

 

Letërkëmbimi me nënën dhe vëllain

 Në këtë shkrim do të sjellim një pjesë nga dorëshkrimet dhe letërkëmbimi personal i Nosit,  ku figura e tij do të shfaqet  më e plotë në letërkëmbimin e tij me nënën dhe me vëllain e tij Gregorin.

 E dashuna im më.

 Lettrën tande nga Durrësi me anë të Mustës e mora edhe ngëzova që jeni shëndoshë.Edhe ma tepër jam gëzumë për martesën e Lanës, lindjen e djalit t’Kolës, ardhjen e Sifit edhe qenjen e nuses s’Grigorit ma mirë.Besoj qi edhe Venimia ashtë kthymë shëndoshë nga Durrësi. Nji ditë thirra edhe Mitrin e Sildashit në telegrafore të Fierit e e pieta për ju.

 Vërte u ba nji muaj që nuk ju kam shkrumë; po, shkaku qe se nuk gjinden shpeshë njerës për aty për me u dhanë lettra.Dua t’ju çoj edhe gazeta qi i marrim rregullisht nga vaporet e Greqiës, po nuk kam sesi.

 Punët e Shqipëniës qënë tyke marrë funt shpejt; po, roi e s’undreq Turqia me Bullgariën për punë t’Edrenes, se xhemieti rrëxoi kabinetin e Qamil Pashës e vrau ministrin e luftës Nazim pashën e si e rroku frenin e mbretëniës në dorë nisi prap luftën. Për fat të mirë ushtëria e Turqvet u thye prap edhe pritet këtë javë të mbyllet paqa.

 Për kufijt e Shqipniës hahesh Rusia me Austrinë aqë shumë sa qi desh të nisin luftë. Po, lajmet e fundit na kallxojnë se undreqën edhe po i lëshojnë ushtëritë qi patën mbledhë. Besoj se nuk asht për t’u vonumë më puna, e për së shpejti do të vimë në Elbasan në Kryeqytetin e pastajshëm të Shqipniës së reë. Do të përpiqem t’ju çoj edhe gazeta me anë të Mitrit në qoftë se mund t’jua dërgojë me sigurië. Nusja Kolës përintët i ka mirë edhe u gëzuan për lindjen e djalit.Emnin t’ia ngjitni shqip.Gjithve u falem me shëndet.Të vegjëlvet u puth sytë.Sifit veçan i puthi sytë.

     Tyke të puthmi dorën mbetem biri yt Lefi (firma)

 

Letra dërguar të vëllait, Gregorit

 Vlorë 12 Mars 1913

 I dashuni vlla Grigor

 Kartën tate ato të Kolës edhe të Ali Irfanit i mora edhe u gëzova që jeni shëndoshë. Edhe ne jemi shëndoshë e së gjithash mirë. Presim me sot e me nesër qi të marri një funt puna e të vimë aty. Me anë të Mitrit ju dërgova letër edhe disa gazeta, të cilat besoj se ju kanë ra në dorë. Grekërit erdhën gjer në Tepelenë tyke ndjekun ushtëriën e Turkut. Komiteti Bullgar vrau në Selanik Gjergon mbretin e Greqiës. Ordia e Turkut qi ndodhet mbledhun sot në Lushnjeë e Fier po shet kualt e plaçkat se duket qi do t’i bjerë në dorë Sërbëvet pasi të bëjnë nji përpjekje të vogël me ta qi të mos thohet se u dhanë pa luftë. Mitri më thotë se ka blemë për ju 15 kual gjer më sot; do të bëjë mirë në qoftë se blenë ene ma të tjerë se si të shëndoshen bëhen që të vinë nga 40-50 lira kali.

 Këtu sot pasi asht mbyllë dati oka e sheqerit po shitet (30) tridhitë grosh e s’gjindet. N’qoftë se mundeni dërgomëni sa ma parë nja Katër a pesë barrë t’i shes se fitimi ashtë shum i math si e shifni. Në qoftë se do të çoni, të bëni herapë për 10 ditë e sot të ndodhet gjija këtu e po u hap deti pa m’ardhë sheqeri këtu, munt të vijë nga jasht e s’mbetet fitimi. Mos e humpni pra kët rast e nisni nji njeri t’a sjelli.

 Të më runi ca pulla të Serbiës, me vulën e sotme qi përdor në për letra në Shqipnië e ndonji shkresë…të kumandantit sërb se i dua për antika e kujtim. Për Cilkën e Ericksonin më shkruni si janë edhe u falem me shëndet. Farës e fisit u falem me shëndet. … e uroj për djalin. Të më dërgoni 5 qeleshe burrash nga ato qi prodhohen n’Elbasan edhe 5 qeleshe nga ato qi vinë nga Stambolli si në bojë hiri lesh e pambuk si ajo qi kam unë këtu … . Nanës i puth dorën, vëllezëvnet e motravet u falem me shëndet,të vegjëlvet u puth sytë. Sifit të fala. Shokvet të mij të fala.

 Për një lettrë të Hafëz Sherifit nga Dibra q' ju pata… nuk na u çu përgjigja.

 

                     Vëllai i juaj

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
No tags for this article
Rate this article
5.00
Share this article