Home | Life & Style | 50 x 50, me Ilir Shytën

50 x 50, me Ilir Shytën

Font size: Decrease font Enlarge font
image

Narcisizt, besnik, këmbëngulës...

 

 

 

 

 

 Nga Flora Nikolla

 

 

 

 

 

 1 - Cili  je realisht? Do të ishte mirë të tregoje, nga je, çfarë bën, por veç këtyre, a mund të tregosh thelbin e vërtetë të qenies tënde…?

Unë jam Ilir Shyta. Jam pogradecar dhe punoj pedagog i letërsisë në universitet. E ndaj jetën time mes botës akademike dhe televizionit Sot7, ku punoj prej 19 vjetësh. Ekzistenca ime nënkupton të investoj për emrin tim, pa dashur huazova në këtë përgjigje titullin e një novele të Nasi Lerës. Të duash emrin tënd përtej kufijve të narcisizmit...!

2 - E ke menduar ditën e lindjes sipas perceptimit tënd apo ke mbetur tek tregimi i njerëzve të afërt?

Saktësisht ka qenë 19 janar. Në fakt nuk kam mundur ta mendoj ndryshe veçse tregimit të njerëzve të mi. Me kanë treguar se ka qenë një ditë shumë e ftohtë dimri. Binte shumë borë dhe temperaturat ishin nën zero. Nuk dua ta mendoj ndryshe, sepse më prangon bardhësia dhe ftohtësia e dimrit realisht.

3 - Në se do të shkruanit çdo gjë që të ka ndodhur deri më tani, beson se njerëzit do të donin ta lexonin?

Cili do të ishte tharmi që do t’i detyronte ta lexonin? Nëse do të shkruaja jetën time me gjithçka ka ndodhur deri tani, jam i bindur se lexuesi do e mirëpriste. Mbase thembra e Akilit do të ishte kurioziteti që në përgjithësi kanë të tjerët për njerëzit publikë.

4 - Çfarë quan ti çmenduri?

  A kujton ndonjërën prej tyre e cila pavarësisht etiketimit, ty vazhdon të duket normale? Të bësh diçka përtej normales për mua është çmenduri. I kam dhënë një herë makinës i dehur..., por që ka qenë e para dhe e fundit herë!

5 - A ke ndonjë fjalë sekrete që e përdor në momentet e tua të vështira?

Nuk besoj se është fjalë sekrete. Është ZOTI, fjalë që unë e përdor jo vetëm në monmete të vështira. “Zoti është gjuha ime / ndaj do ishte mëkat apo herezi/ që lutja ime mos i kushtohet Atij/ Gjuha ime vetëm lutet/ ...për Kalvarin e Jezusit/ Marinë, Kryqin, Golgotën...!” nëse do përmendja pak vargje të miat.


6 - Si do ta përshkruash veten tënde me tri fjalë?

Narcisizt, besnik, këmbëngulës...

7 - Beson se njeh veten mirë?  Si e njeh?

Sigurisht që e njoh. Një i dytë zor se do më njihte mirë. E njoh si Sizif që përditë në rrugëtimin e mbijetesës së tij kërkon të ngjitë në destinacion qëllimin e tij... Dua të marr në jetën time një oskar meritash!

8 - Mund të tregosh historinë më të bukur të jetës në 10 rreshta?

Po, mbase në më pak rreshta. Ka ndodhur kur isha në Tiranë student në Fakultetin Filologjik. Në autobusin e unazës kisha përballë një vajzë simpatike dhe doja ta pyesja sa e kishte orën. Për çudi unë s’e kisha në dorë atë ditë orën time. E kisha harruar në shtëpi. Dhe në vend t’i thoja o goce sa e ke orën, e pyeta o goce sa e ke emrin? Në fakt ajo po qeshte, mbase edhe unë unë po qeshja në atë moment, në autobosin e unazës në Tiranë! Por më e bukura erdhi nga vajza! Ishte pikërisht përgjigjja që ajo më dha: Irena një çerek e fejuar...!

9 - Po më të vështirën?

Unë kam pasur pikë të dobët në jetë teton time, motrën e mamit. Teto Efgjenia u nda nga jeta në fillim marsin e këtij viti. Ishte një ditë e ngrohtë pranvere. Ka qenë vërtet moment shumë i vështirë në jetën time. Nuk doja që ajo të vdiste... Edhe pse është ligj natyre largimi nga jeta i gjithëkujt, doja që të jetonte. Ajo ishtë e mençur dhe mbi të gjitha oksigjeni im. Kam në kokë një poezi që ia dedikoj Asaj... po e bluaj dhe normal do e botoj shumë shpejt!

10 - Ke disa hobby, mendon se ke shkuar ti tek ato apo kanë ardhur ata tek ty?

Normal që kam hobby. Çuditërisht dy kryesoret nëse do i quaja kështu, kanë ardhur ato tek unë...mbase jam me fat deri diku!

 

11 - Sa herë je ndjerë i tradhtuar? A e fal ti tradhtinë?

Tradhëtia është kthyer në modë në përditshëmrinë tonë. Metamorfoza e njerëzve përbindsha të ndot në tortë të zemrës. Inati im zgjat në jetë... nuk e fal tradhëtinë!

12 - Tani , pas dekadash jetë!!!, pse fëmijët shijojnë fëmijërinë ashtu si të rriturit shijojnë rritjen?

Besoj se është normale kjo gjë. Në rrethin vicioz të jetës nuk ka si të ndodhë ndryshe. Nuk jemi as të parët, as të fundit në këtë pikë. Jemi brenda llojit tonë, por me protagonizëm të përveçëm si qenie.

13 - Si mund ta përcaktosh brezin tënd, ke besuar tek ai, cilat kanë qenë kushtet që kanë ndikuar në formimin  e tij? A mund të quhet brez i humbur?

Pa frikë do e përcaktoja brez të humbur! Besova atëherë dhe besoj ende te idealizmi i brezimit tim, por fatkeqësisht shoh se në këtë vend nuk ka me diell! Më ndihmon metafora për të kursyer kushtet inegzistente, që mbetën ëndërr në sirtar për shumë nga ne...

14 - Çfarë nuk duron tek të tjerët dhe si e kapërcen mosdurimin…?

Pabesinë dhe mosmirënjohjen! Mosdurimin e kapërcej me shpërfillje ndaj tyre.

15 - Mes njeriut më tërheqës, por dhe më të varfër, njeriut më të pasur, por dhe më të shëmtuar, cilin do tëzgjidhje?

Tani jeta është arithmetikë! Unë të garantoj që do zgjidhja një njeri që ta ndjeja mirë veten kur të vija kokën në nënkresë të shtratit. Populli thotë: “Ta kesh babain e varfër është fatkeqësi, por ta kesh vjehrrin e varfër është budallallëk”. Përtej humorit gjys të vërtetë do zgjidhja njeriun utilitar.

 

16 - Cilat janë tre cilësitë që çmon tek një njeri?

Besnikërinë, mençurinë, përkushtimin.

17 - Si dhe çfarë është për ty shtëpia jote?

Cili është objekti më i çuditshëm që keni në dhomën tuaj? Shtëpia ime është Mbretëria ime. Nuk e kam një objekt të tillë.

18 - Çfarë vendi zë gënjeshtra në jetën tënde? Në fakt kur gënjen?

Vend të vogël. Nuk di të ketë një njeri që s’ka gënjyer kurrë. Nëse do thoja asnjherë s’kam gënjyer, të jeni të sigurtë që sapo gënjeva, mbase edhe e kundërta e këtij pohimi përsëri gënjeshtër do ishte.

19 - Cili je ti në një bashkëbisedim  me një mik?

Unë jam miku besnik. Nëse dikujt i them mik nuk e kapërcej kufirin miqësor. Nuk hedh hapa të tjerë përtej fjalës mik...

20 - Çfarë është frika për ty? Cilat janë frikërat më të mëdha që ke dhe si i kontrollon? Çfarë të frikëson ty në këtë botë?

Frika është frikë. Mbase ndonjëherë nis e mendoj për pleqërinë që do vijë padyshim një ditë për të gjithë. Frikë në këtë vendin tonë të mjerë është edhe e ardhmja e pasigurtë... “Frika e ruan vreshtin”, ndaj mirë është edhe të meditosh për frikën!


21 - Si do ta komentonit , “Sa më shumë kalojnë vitet, aq më inteligjentë më duken prindërit”?

Eh! Prindërit e mi nuk jetojnë më. Që të dy kanë ndërruar jetë! Violeta dhe Vangjeli kanë qenë praktikë në jetë, padyshim dhe të mençur. Inteligjenca është e lindur te njerëzit. Ose e kanë ose jo! Mendoj se ata e kanë pasur inteligjencën në gen! Sa shumë këshilla më vijnë tani në mendje prej tyre...

22 - Cila është fuqia që ju keni? Në fakt çfarë fuqie do të donit të kishit?

Duke qenë prej mishi e gjaku, padyshim që je i dobët në ekzistencë. Sado i fortë t’i thuash vetes je vdekëtar. Do të doja të isha i mbinatyrshëm, me fuqi të tillë që t’u tregoja vendin ca pseudo njerëzve që më rrethojnë..., jo t’i digjja me zjarr dhe hekur, por t’i përvëloja në ujin më të valuar të ferrit dantesk do ishte pak! Por edhe nëse s’do e kisha një fuqi të tillë, kam shumë kallo në jetën time, të cilat më kanë bërë më të fuqishëm!

23 - Në se do të merrje vesh se do të vdisje brënda një viti, si do ta organizoje jetën tënde?

Nuk besoj se do bëja jetë ndryshe. Do e merrja me sportivitet dhe do mundohesha të sistemoja ca gjëra që ende si kam përfunduar...

24 - Pse ke zgjedhur modele, apo personazhe në jetën tënde, çfarë të ka shtyrë? Në se do të darkoje me të për çfarë do ta pyesje dhe si do të ishte sjellja juaj?

Normal që kemi modele apo personazhe që i imitojmë në jetën tonë. Mbase madhështia e të qenurit njerëz në kuptimi e vërtetë të fjalës njeri. Nëse do darkoja me të, sjellja ime do ishte e natyrshme, do lija emocionin e tepërt pas dhe do i thoja faleminderit që pranoi ftesën time, për të qenë bashkë...

25 - Keni një proverb tuajin të preferuar, po për çfarë ju shërben?

Është një proverb rumun për paratë. Do e citoj shqip, jo rumanisht. Ma thonte im atë shumë herë ndaj s’e harroj kollaj. “Sa i ke në xhep janë të tuat, i nxore si ke më”. Në ditët tona ky proverb të shërben, sepse të bën më të mënçur.


26Thonë që kur të pëlqen puna që bën, çdo ditë ngjan si të ishte pushim… është e vërtetë? Si dhe ku i organizon pushimet e tua ideale?

Kur të pëlqen puna që bën, normal që shkon me qejf, të shtyhen orët dhe ndjehesh mirë me ata që të rrethojnë. Është e vërtëtë! Puna e mirë është si dera e xhenetit, puna e keqe si dera e xhenemit..., thotë pak a shumë në një roman Rexhep Qosja! Përgjithësisht kam zgjedhur Pogradecin për të pushuar, njëherazi dhe vendlindja time. Për pushime ideale sigurisht do zgjidhja brigjet e Spanjës atje ku thonë se rëra është ngjyrë rozë... :)

27 - Cilat janë marrëdhëniet tuaja me blerjet?  Po nëse do mund të blije vetëm një gjë, çfarë dotë zgjidhnit të blinit?

Gjithmonë blej. Nuk kushtëzohem as nga çmimet... Nuk dua ta privoj më jetën time! Tani telefoni është shndëruar në superteknologji, ai do ishte gjëja e vetme që do blija!

28 - Po raportet tuaja me gjërat e reja… Në se do të mund të mësonit diçka të re, cilën do të zgjidhnit?

Jam kureshtar për gjithçka. Normal do ishte një utilitet, atë që do më shërbente...

29 - Ndër të tjera libri është një tru që flet, një mik që pret, një shpirt që fal, një zemër që qan…Çfarë lidhje ke me librat dhe cili është vendi që ka zënë në jetën tënde?

Libri është ajo gjë me të cilin nuk ndahem dot. Kam shumë libra në bibliotekën time. Një pjesë e tyre edhe nëpër kuti ngaqë janë të shumtë tani. Sa herë hyj në librari e blej një libër të ri, përpos atyre që më falin me autografe. Madje ruaj në biblioteken time edhe një pjesë librash plot ngjyra nga përrallat e fëmijërisë!


30 - Mund të gjykojmë një njeri nga mënyra se si trajton kafshët? Cila është lidhja që ke me kafshët?

Patjetër që po, e gjykojmë! Rasti më i fundit ishte masakrimi i një qeni. Një video horror që qarkulloi në rrjetet sociale. Duhet të ketë një ligj që të frenojë një kasapanë të tillë. Personalisht më dhëmbin edhe jetët e kafshëve. Do më pëlqente të kisha një qen ose mace rrace... aktualisht nuk e kam një të tillë në shtëpi!

31 - Po raporti që ke me trupin tënd… Cila është pjesa e trupit që të pëlqen më shumë dhe pse?

Nuk kam një trup perfekt edhe pse do e dëshiroja! Dikur bëja vrap në mëngjes, tani jam dembelosur. Kam thënë me vete duhet të shkoj në palestër, por pastaj s’e kam vënë “ujin në zjarr”. Pëlqej barkun dhe dua të mos jem mbi peshë edhe pse ndonjëherë e teproj me ushqimin... Barku është e vetmja gjë që bie si kambanë alarmi, kur shoh veten në pasqyrë çdo mëngjes...

32 - Bota është një libër dhe ata që nuk udhëtojnë, lexojnë vetëm një faqe. Cili është raporti që keni me udhëtimin?

Personalisht i pëlqej udhëtimet. Sa herë më jepet mundësia nuk them jo. Kam mësuar nga një dokumentar se e vetmja gjë, e cila mbetet gjatë në kujtesën e njeriut janë udhëtimet!

33 - Në cilin vend të botës do të pëlqente të jetonit?

Londër! S’e di por kam një afeksion të paparë për atë qytet. Sipas teorisë kabaliste, rimishërimi ndodh me shpirtrat e njerëzve. Mbase shpirti im, në një jetë tjetër ka qenë londinez. Më duken vende të prekura pamjet e Londrës sa herë që i shoh!:)

34 - Liria… cila është përballja juaj me të, si ka qenë raporti me lirinë në jetë, sa e keni luftuardhe sa e keni dashur? 

Liria për gjithëkënd është primat absolut. Liria është ajër, jetë... Nuk e kam luftuar për të mos qenw, por kam luftuar për të edhe kur duan të më privojnë prej saj. E dua patejtër shumë...


35 - Cili është ndryshimi që ke mes bashkëshortes dhe të dashurës?  Mendon se ekziston dashuria e përjetshme?  Si mund të shpëtohet dashuria?

Jetën bashkëshortore s’e kam provuar ende, por të dashur kam. Përderisa jam pranë saj ndjehem mirë. Ndryshimin mes tyre s’di ta them s’e nuk kam provuar të bashkëjetoj. Dashurinë e shpëtojnë partnerët në liri, pa xhelozi të sëmurë dhe ekstreme, me mirëkuptim dhe shumë dashurifalur njëri-tjetrit!

36 - Çfarë është vlerësimi shoqëror dhe familjar për ty ?  Deri kur do të vazhdojë të ketë vlerë?

Sigurisht këto vlerësime janë norma në jetë. Është një etalon që kërkon ta prekësh dhe kur e arrinje ok edhe për ta. Mos harrojmë se në Shqipëri jeton edhe për sytë e të tjerëve edhe pse po tregohem paranojak. Kjo është një e vërtetë që askush s’e mohon dot!

37 - Kur një person hedh argument kundër ideve tuaja, preferon të mbetesh i heshtur duke ditur se ke të drejtë apo mendon së është më mirë të tregosh të “vërtetën ”?

E vërteta ka çmim të shtrenjtë. Ose më mirë po perifrazoj titullin e një librit tim “E vërteta bën keq në zemër!” Ai që hedh ide kundër, nëse e ka gabim s’e dëgjoj ose e shpërfill. Por ndodh dhe e kundërta, përpiqem t’i tregoj atij ose të tjerëve me argument, mbrojtjen e ideve të mia.

38 - Thuhet që asgjë nuk është perfekte… Çdo ndodhte sikur të ishte?

Do ishim të gjithë njëlloj! Do bënim çdo gjë njëlloj nëse do ishim të gjithë në perfeksion. Mos harrojmë se Sizifi ende s’e ka ngjitur shkëmbin e tij në majën e malit të lumturisë, perfeksionit. Ndaj e bukura tani për tani qëndron tek përpjekja që bëjmë për ta jetuar jetën me pak perfeksion!

39 - Në të mirë dhe në të keq, një mik i vërtetë, është gjëja më  e mirë në këtë botë, çfarë është një mik-mikeshë për ju?

Është tepruar me shprehjen “Më mirë një mik se një çiflik!”, por mendoj se nuk i ik aktualiteti. Më vjen keq, që disa koka miqsh nuk e dinë ku i kanë pikat e kontaktit të vërtetë...


40 - Cila ka qenë detyra më e mërzitshme që të ka takuar të bësh?

S’e kam takuar akoma një detyrë të tillë!

41 - Në punën tuaj më të fundit, cilat qenë arritjet më të rëndësishme?

Ndër punët e fundit që pata ishte një konferencë ndërkombëtare për kompetencat në arsimin parauniversitar dhe atë universitar shqiptar. Arritje e rëndësishme ishte fakti që artikulli im u prit mirë dhe do botohet në gjuhën angleze në librin përkatës!

42 - Çfarë projektesh apo ide kanë lindur nga ty dhe sa janë realizuar falë teje?

Të jem i sinqertë vetëm një prej tyre pres të realizohet. Ka të bëjë me fushën mediatike! Nuk më pëlqen të mburem para kohe, pres të realizohet. Mbase kur të ndodhë do prononcohem. Një fjalë e urtë thotë “Mos bëj kurrë plane se Zoti tallet”. Le të presim edhe pak...

43 - Tranzicioni shqiptar është përballje e vlerave të shoqërisë shqiptare apo e politikës së prodhuar nga qeveritë e saj?

Tranzicioni për mua mban firmën dhe përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të politikës së prodhuar nga qeveritë e saj dritëshkurta dhe jo largpamëse. Sa e dhimbshme është ende të diskutojmë për tranzicion. Kanë kaluar ende 27 vjet dhe ne përdorim akoma fjalën tranzicion. Noli kur u bë kryeministër tha: “Shqipëria u bë me shtet, vallë do bëhen shtetas shqiptarët”? Mbase duhet të kalojë edhe 2027-ta që të bëhemi shtetarë të denjë të BE-së!

44 - Jeta jote përballë politikës… cili është vlerësimi yt për politikën shqiptare?

Kam qenë anëtar i një force politike, madje edhe kryetar forumi rinor... por deri këtu. Më pas u largova nga politika i zhgënjyer. Mbase si i ri që isha kisha të tjera pritshmëri. Politika shqiptare duhet të pasohet nga imazhe të rinj, të realizuar në jetë dhe mendjen esëll! Boll me figurat e vjetra dhe demode që e kanë lënë ende këtë vend në tranzicion. Falë edhe profesionit të gazetarit kamë marrë në intervista pjesën më të madhe të politikës aktuale shqiptare... dhe normal shpresoj të bëhet ky vend që shpesh themi nuk bëhet! Nëse do kisha një ftesë si intelektual për t’u bërë pjesë e politikëbërjes në parlament, nuk do i thoja jo dy partive qëndrore të politikës sonë. “Never say never!”

45 - Çfarë është Shqipëria për ty?

Është shtëpia ime! Pa u bërë patetik është vërtet shtëpia jonë e përbashkët!


46 - Sa është përputhur profesioni që ke imagjinuar në fëmijëri me profesionin që ke sot?

Kur isha fëmijë mendoja të hyja në kutinë magjike të televizorit që gjatë ditës rrinte i fikur me përjashtim të ditës së diel, që ndizej që në orën 10 para dite. Doja të bëhesha dikushi. Të hyja në atë ekran pa të bëhej ç’të bëhej. Pastaj, mbaj mend që në gjimnaz në vit të katërt vunë në skenë një pjesë teatrale të Ruzhdi Pulahës “Mësuesi i letërsisë”. Aty çuditërisht interpretova rolin e mësuesit të letërsisë, Arjanit... Me sa duket ka qenë e shenjuar e ardhmja ime, profesionet e jetës,gazetaria televizive dhe pedagogu si pjesë e botës akademike! Çuditërisht është përmbushur profecia e jetës.

47Sa  i lumtur je sot dhe si e përjeton profesionin tënd?

Jam i lumtur! S’e fsheh! Bota akademike është e bukur dhe interesante njëherazi, sepse je pjesë e hulumtimeve shkencore! Profesionin tim e përjetoj si kremtimin e nje feste të dashur në jetë!

48Do të preferonit të udhëtonit në të shkuarën apo në të ardhmen e vendit ku jetoni?

Dua edhe në të shkuarën të udhëtoj! Më ka marrë malli për njerëzit e mi të dashur, të shuar nga kjo jetë, prindrit, teton, vëllain! Por dua të udhëtoj edhe në të ardhmen... është bukur ta shohësh vendin tënd plot diell, atë diell që ende s’e ka qielli ynë!

49Për ty çfarë do të thotë një jetë perfekte?

Kur ta prek ose më saktë ta bëj realitet jetën perfekte, do jap përkufizime!

50Sa  i vërtetë,  keni qenë në këtë intervistë?

100%!:) Mbase s’e besoni, por s’kam pse bëj më sikur apo si rastësisht me dashje...!

 

 

* Shkëputur nga libri "50 X 50" i Flora N. Nikollës (Albanian Excellence)

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
Rate this article
5.00
Share this article