Home | Opinion | Lufta e gazit, Lufte e ftohte e re

Lufta e gazit, Lufte e ftohte e re

Font size: Decrease font Enlarge font
image

Lufta e ftohtë ka bërë të lindë një ndjenjë të përhershme frike dhe pasigurie, familjare për të paktën dy breza të tanishëm.

Nga Ismail Kadare

I ftohti që ka mbërthyer disa vise të Europës kontinentale pas vendimit rus për të pezulluar furnizimet me gaz, intervistat e qytetarëve të mardhur në televizion dhe historitë e shkollave dhe spitaleve jo të ngrohur kanë rizgjuar kujtime të trishta : jo ato të një lufte të vërtetë, por të një lufte të nëndheshme që nuk është aq e largët.

Ngjashmëria nuk qëndron vetëm në të « ftohtin ». Ajo nuk është madje as gjuhësore apo metafizike. Është më e thellë se kaq. Lufta e ftohtë ka bërë të lindë një ndjenjë të përhershme frike dhe pasigurie, familjare për të paktën dy breza të tanishëm. Kjo luftë i gjente rrënjët e saj në frikën, dhe çdo rikthim tek manovrat dhe opinionet e luftës së ftohtë e bën atë të ngjitet në sipërfaqe.

Është kureshtare të shohësh që ato që vuajnë më shumë nga rikthimi i këtij spektri janë viset e Europës së dikurshme të Lindjes që janë ndarë nga Perandoria sovjetike që prej njëzet vjetësh. Nuk është aspak për t’u çuditur që Rusia të ndërmarrë ndëshkime kundrejt tyre, apo të paktën të ushqejë dëshirën për ta bërë. Ideja e ndëshkimeve është më e besueshme nëse sjellim ndërmend konfliktin e vonshëm të armatosur ndërmjet Rusisë dhe Gjeorgjisë, njërës prej deleve të humbura të tufës sovjetike. Pas kërcënimit të armëve, vjen kërcënimi i të ftohtit.

Çështja e gazit rus ka ngjallur mjaft komente dhe parashikime në shtypin perëndimor. Në njëfarë mënyre, ato të kujtojnë tiparet e një lufte të ftohtë : shtrëngimi dhe nxitja e panikut, me një fjalë, frikësimi. Dëshira për të ngjallur frikë është një nga pasionet që udhëheqin jo vetëm të gjithë tiranët e mbrapshtë, Kaligulat, Hitlerët, Stalinët, por edhe të gjithë shtetet tirane. Këto vende përdorin gjithçka kanë në dorë, duke e kthyer fiksimin e tyre në një lloj psikoze. Ata gjejnë në këtë ethe një lloj ushqimi shpirtëror. Dhe kur kjo psikozë mpleks një popull të tërë, atëherë bëhet më e rrezikshme.

Një ngjarje e jashtëzakonshme ka ndodhur gjatë kohës që isha student në Moskë, më 1959. Udhëheqësi sovjetik Nikita Hrushov duhej të frikësonte SHBA-ës. "I dashur Nikita", shkruanin lexuesit, "Nikitiushka ynë i shtrenjtë, ne duam që presidentit amerikan t’i shembet toka poshtë këmbëve !" E njëjta fjali mund të fillonte me fjalë të ëmbla dhe të vazhdonte me një ton krejt tjetër.

Një psikozë e këtij tipi është e rrezikshme kur ajo mbërthen një shtet në dukje normal. Lidhja që ne vërejmë sot ndërmjet Vladimir Putinit dhe Dimitri Medvedevit, ripërtëritësit e fuqisë së dikurshme sovjetike, paraqet të gjitha shenjat e këtij fiksimi, dëshira për të përhapur frikë. Nostalgjia e përgjithshme për ish-BRSS është një provë mjaft e qartë e kësaj prirje.

A ka nevojë Rusia moderne për ta nxitur këtë pasion ? Aspak. Vetëm shtetet që orvaten të fshehin një krisje apo një nevrozë të brendshme kanë nevojë për këtë tip zjarrmie. Kombi rus nuk ka aspak nevojë të bjerë deri aty. Asgjë nuk e justifikon nostalgjinë rusë të Bashkimit sovjetik : në njëfarë mënyre, kjo nostalgji është poshtëruese. Për çfarë duhet të jetë nostalgjike Rusia ? Për një epokë ku ajo mund të ngjallte frikë ? Çfarë e lejon Rusinë të jetë nostalgjike për një epokë e cila nuk e ka nderuar, ashtu siç racizmi dhe zelli kolonialist i dikurshëm nuk kanë nderuar Europën ?

Në këtë kontekst, kemi të drejtë të habitemi me miratimin e fshehtë të një nostalgjie të tillë nga disa komentues. "Ne duhet t’i kuptojmë Rusët pse janë nostalgjikë", shkruajnë ata. Por më tepër duhet të thoshin : "Ne nuk arrijmë ta kuptojmë këtë nostalgji të Rusisë për të cilën askush nuk ka nevojë ".

 Le Monde, 4 shkurt 2009  

© Urim Nerguti, për përkthimin shqip

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
No tags for this article
Rate this article
5.00