Lumturi e trishtë...
Për shumë vëzhgues, futja e vendeve ballkanike në aleancë mund të ketë qenë asgjë më shumë se një pëshpërimë ekologjike, një përpjekje e gjelbër dhe e dobishme për të freskuar makinerinë më të fuqishme të luftës në botë, dhe vetëm kaq.
Nga Artan Mullaj
Përveç që padyshim ishte një arritje e urtë dhe konstruktive, Samiti i NATO-s hodhi në opinionin botëror farën e një iluzioni të ri për rolin e liderëve në planet. Të fuqishmit e epokës së krizës më të madhe, duket se nuk e kanë aurorën e lavdisë njëlloj të shkëlqyer si liderët paraardhës në histori. Furia e thjeshtësisë që duket se ka pushtuar së fundmi imazhin e tyre, mund të mos jetë pikërisht e tillë, brishtësi edhe dobësi, por është patjetër diçka e re, mes tyre. Me gjithë sigurinë që afron NATO me bashkëpunimin dhe solidaritetin internacional, të mëdhenjtë e botës përcollën këtë herë pikërisht mesazhin e pasigurisë botërore në këtë qasje të njerëzimit në krizë. Duke qenë pafajësisht të paaftë të parashikojnë fatin e kapitalizmit, rrezatuan një imazh dobësie që shumëkush mund ta blejë për brishtësi kolektive liderësh përballë vështirësive të provokuara nga kriza… Mbase kjo është arsyeja që Obama ndërkaq është kthyer në një shpresë planetare, megjithëqë asnjë nga udhëheqësit europianë nuk e ka të qartë nëse talenti i njeriut më të fuqishëm në tokë është aq i mjaftueshëm sa duhet për të udhëhequr liderët e tjerë dhe nëpërmjet tyre gjithë botën, drejt zgjidhjes së krizës... Duket se evropianët nuk kanë një model të tyrin, dhe as autoritetin dhe ashpërsinë e nevojshme për të marrë vendime që “godasin në qendër”. Ndaj ndjekin pas kokulur iniciativat dhe sugjerimet që ju afrohen, ndërsa frika e krizës ju ka paralizuar deri edhe pushtetin e votuar. Por natyrisht, të konstatosh mungesën e ashpërsisë dhe autoritetit të liderëve aktualë, pikërisht në një grupim ashpërsie dhe force, siç është NATO, në Samitin e saj, nuk do të thotë të supozosh që liderët heronj të së shkuarës dhe vendimet e ashpra të tyre, që kanë tronditur historinë, të jenë të domosdoshëm njëlloj edhe sot, ashtu si është mirë të supozosh se liderët e butë e të lodhur të ditës kanë arsye të mira për të ndjekur pas si nxënësit e Jezuit, Obamën...
Duket se Obama është i vetmi që ka guxuar të fusë duart në brumin e rrezikshëm të zallahisë që ka pushtuar botën, dhe fakti që të gjitha vështrimet i janë drejtuar atij, i jep të drejtën të trajtohet si fenomen, aq më shumë që të tjerët duket sikur nuk bëjnë asgjë tjetër veçse, rrinë në pritje, e ndjekin pas, e miratojnë, e kopjojnë, e adhurojnë, marrin nga ngjyra e tij, nga shija e tij, perceptojnë si ai, e besojnë dhe i urojnë zëulët sukses për të gjithë... Kjo majmunëri shëmbëllen pozitive dhe ku e ku më e dobishme në fakt se marrja e vendimeve të forta nga liderë të dobët... Në këtë sfond të brishtë dhe në mes të këtij perceptimi për dobësinë e pushtetit ne Europë, ndodhi një mrekulli, nëse mund ta quajmë kështu anëtarësimin në NATO të Shqipërisë dhe Kroacisë... Për shumë vëzhgues, futja e vendeve ballkanike në aleancë mund të ketë qenë asgjë më shumë se një pëshpërimë ekologjike, një përpjekje e gjelbër dhe e dobishme për të freskuar makinerinë më të fuqishme të luftës në botë, dhe vetëm kaq. Por nga ana tjetër, nëse jo aq për kroatët, kjo ngjarje prodhoi një gëzim të fortë të liderëve shqiptarë...
Mund të supozohet se ishte vërtet një gëzim i shëndetshëm për sa kohë optimizmi nuk i kish lënë ende vendin një euforie spektakolare, e cila shumë shpejt, u shndërrua në një delir; një delir primitiv, që e shtyu këtë arritje në një orientim të gabuar kombëtar. Sepse, me hyrjen në NATO, vërtetë shqiptarët arritën njërin nga synimet e integrimit të vendit, por vetëm kaq. Ditën tjetër, të gjithë e dinë se nuk do të ndryshojë ngjyra e qiellit!!! Ditën tjetër, hallet e mëdha do të jenë aty këmbëkryq, në vetëdijen e të gjithëve. Nëse i shpëtuan njëherë e mirë agresioneve të jashtme (në fakt atyre ju shpëtuan edhe kur ishim rrethuar anembanë me armiq dhe bunkerë), nuk janë në fakt aq të sigurt brenda për brenda. Ditën tjetër kriza dhe varfëria do të jenë aty, në ditarët e pashkruar të njerëzve që më në fund do ta vuajnë njëlloj korrupsionin... Qeveritarët do të jenë po ata dhe zërin do ta trashin njëlloj nëpër zyra për të kompensuar ndjesinë e inferioritetit. Zallamahia dhe pasiguria e jetës do të nderen njëlloj në atmosferë, përzier me ndotjen në rrugë dhe me mungesën rebele të civilizimit.. Të gjitha këto nuk është vështirë ti konstatosh!! Shqiptarët nuk janë aq naivë sa ti kërcejnë ritmit të një daulle të shpuar, duke besuar në magjinë e rutinës… që premton fundin e tranzicionit.
Sepse, tranzicioni nuk ka mbaruar. Mbase ky tranzicion do fillojë të mbarojë më 28 Qershor!! Edhe presidenti i republikës, edhe kryeparlamentarja (e paprotokolluar, siç thonë), edhe kryeministri ynë, (sidomos kryeministri ynë), me eufori, me delir komunikimi, me talentin e Hemingueit, djersitën shumë ti përcjellin qytetarëve tanë emocionet e një feste kokëfortë, që duhet shijuar patjetër, por që në fakt nuk kish “fishekzjarre”. Në një mënyrë, a thua kërkon të fshehe një inflacion dinjiteti kombëtar, politika shqiptare u shfaq primitivisht përsëri e përçarë. Aq më shumë që edhe këtë herë, ne po futemi nën të njëjtën ombrellë, si një kopsht me dy porta. Dy përfaqësime, dy lumturi, dy merita, dy festa, dy dite çlirimi, dy mitingje... dy marrëzi. Përçarja e politikës dëshmon hipokrizinë e suksesit dhe rrjedhën e gabuar, ndërsa me të ndodh e kundërta e kodit njerëzor të vetëmbrojtjes, ku jo vetëm në gëzime, por edhe në fatkeqësi, njerëzit shtrëngojnë duart... Por natyrisht, ka diçka për t’u përshëndetur, dhe kjo është që edhe pse të vegjël e të parëndësishëm, duket sikur fuqive të mëdha ju jemi te nevojshëm, të paktën gjeografikisht... Furia e melankolisë së kryeministrit tonë, i cili, të paktën këtë herë nuk ngjau si “daja nga fshati” atje, mbase ka të bëjë me këtë... dhe jo me atë tjetrën, me nënshtrimin e vetëdijshëm dhe me përulësinë kuritelane ndaj një lumturie që vjen sa nga “sukseset” e mëdha të qeverisë, aq nga vëmendja e të mëdhenjve për ne, në përgjithësi dhe Amerikës në veçanti... Sa për shqiptarët, ata duhet të testojnë ndjesinë e gëzimit që duhet të kenë patjetër pas festës së madhe. E kanë edhe ata njëlloj lumturinë e liderëve të tyre, është i vërtetë ky ngazëllim, apo regëtima shuhet në embrion, që në gëlimet e para...
Ka madhështi të vërtetë, apo gjithë zhurma që ndodh është fasadë e një fasade, për efekte elektorale? Apo është thjesht, një djallëzi fantazie të thekur gjuajtësish votash e votuesish? Kushedi! Nëse ky delir fitoreje të imponuar nuk është diktatura e imazhit që premton përfitime elektorale, çfarë mund të jetë? Krahasuar me Kroacinë, e cila e përcolli qetësisht ndodhinë, krahasuar me krenarinë e kroatëve, e jona nuk ishte e tillë, dhe nuk ka qenë e tillë në ngjarje kur ne i jemi nënshtruar autoriteteve botërorë, duke i mitizuar si askund, servilisht ata, dhe këtu dua të sjell në vëmendje pritjet spektakolare të Beker, të Bush, dhe së fundmi optimizmin e shfrenuar dhe lumturinë inferiore me anëtarësimin në NATO...



del.icio.us
Digg
Post your comment