Perkujtimi nderkombetar i Shoah, per ke dhe perse ?
Vendosja e një rendi të moralitetit është interesi më i lartë i çdo njeriu.
Përkthyer nga frëngjishtja
Urim Nerguti
Më 27 Janar 1945, Ushtria e Kuqe çlironte kampin e shfarosjes të Auschwitz-Birkenau. Në këtë vend kanë qenë vrarë ndërmjet një milion dhe një milion e gjysëm qenie njerëzore. Shumica dërrmuese ishin çifutë. Kjo është dita që është zgjedhur nga OKB si datë përkujtimi ndërkombëtar të Shoah.
Unë dalloj dy mënyra të shtruari të problemit të kujtesës dhe të formimit të saj : politika e kujtesës dhe etika e kujtimit. Politika e kujtesës fut në veprim përdorimin që regjime të ndryshme i bëjnë kujtesës, dhe harresës, për të vendosur legjitimitetin e tyre. Në kuadrin e etikës së kujtimit, çështja sillet mbi detyrën e të përkujtuarit të kësaj apo asaj ngjarje, dhe mbi subjektin e kësaj detyre. Veç kësaj, etika e kujtimit përpiqet të dijë nëse nuk ka gjithashtu dhe një detyrë harrese e cila të lejojë faljen. Këtu, unë do të merrem vetëm me etikën e kujtimit, dhe jo me politikën e kujtesës, edhe pse rreth kujtimit të Shoah ka gjithmonë mjaft politikë.
Çështja etike është kjo : A është një detyrë përkujtimi i Shoah dhe, nëse është kështu, kujt i takon kjo detyrë ? Mbarë njerëzimit : E tillë është përgjigja e përfshirë në idenë për të caktuar një ditë ndërkombëtare përkujtimi në kujtim të viktimave të Holokaustit. Jam i mendimit se është krejt e ligjshme kjo që këtë përkujtim ta kërkosh nga mbarë njerëzimi, edhe pse të vetëdijshëm që kjo nuk kuptohet vetvetiu dhe se një kërkesë e tillë kërkon të jetë e justifikuar.
Ka njerëz me të cilët ne mbajmë lidhje të ngushta ; të tjerë, përkundrazi, me të cilët lidhjet mund të jenë më të pakta. Të ngushta janë lidhjet që ne mbajmë me familjen tonë, me miqtë, me ata që i duam. Këto lidhje rrjedhin, në një masë të madhe, nga kujtime të përbashkëta. Përkundrazi, të pakta janë lidhjet tona me të huaj me të cilët nuk kemi asnjë kujtim. Lidhjet e ngushta mund të kenë të bëjnë me anëtarët e një shoqërie të përfytyruar, për shembull ajo që unë formoj me bashkatdhetarët e mi ndër të cilët njoh veçse një pakicë të vogël. Ata dhe unë bëjmë pjesë në një bashkësi kujtese. Etika cakton atë ndaj çfarë na angazhojnë lidhjet e ngushta. Tërësinë e angazhimeve që rrjedhin nga lidhjet e pakta mund ta quajmë moral. Etika më parashkruan detyra kundrejt shokëve të mi (prindër, bashkatdhetarë, etj.). Kurse morali, detyrën time kundrejt çdo njeriu ekskluzivisht të tillë si njeri. Kujtesa futet tek etika, thënë ndryshe detyrimi i kujtimit zbatohet ndaj atyre që gjenden të përfshirë në një rrjet lidhjesh të ngushta. Ajo nuk ka të bëjë me ata që mbajnë ndërmjet tyre lidhje të pakta.
Personalisht, lidhjet e mia me viktimat e Shoah janë të ngushta, duke pasur parasysh familjen time dhe popullin që i përkas. Unë bëj pjesë pra në një bashkësi kujtese – populli çifut – i cili, është e qartë kjo, e sheh veten të nënshtruar ndaj kërkesës së kujtesës dhe përkujtimit të Shoah. Edhe Gjermanëve iu del përpara kjo detyrë etike kujtese dhe përkujtimi, sepse ata mbajnë lidhje të ngushta me viktimat e Shoah. Dendësia e këtyre lidhjeve detyron një përgjegjësi, por përgjegjësi nuk nënkupton fajësi. Kujtesa e Shoah që iu është kërkuar Gjermanëve të rinj është e pakrahasueshme me detyrën etike të kujtesës që rëndon mbi popullin çifut : Ai duhet të kujtohet për jetët që kanë qenë humbur ; Gjermanët duhet të kujtohen për pjesën që të tyrët kanë pasur në këtë krim. Përsa i përket detyrës që iu bie tërësisë së popujve europianë, ajo është e ndërlikuar ngaqë e shumëkuptimshme. Një Francez mund të mbahet nga njëra anë në një lidhje të ngushtë me një figurë siç ajo e historianit-rezistent Marc Bloch sepse ai simbolizon një viktimë të Shoah. Por ai ka një lidhje jo më pak të ngushtë dhe me një Pierre Laval, për aq sa ky i fundit ka mishëruar bashkëpunimin e zellshëm në ndërmarrjen shfarosëse.
Deri tani, unë kam përmendur detyrën e kujtesës në kontekstin e lidhjeve të ngushta. Por fillesa e një dite ndërkombëtare përkujtimi në kujtim të viktimave të Holokaustit mpleks këtë që kjo detyrë kujtese vendoset tani e tutje edhe ndaj popujsh dhe kombesh gjeografikisht dhe shpirtërisht të largët nga zona ku është kryer krimi. Ndaj popujsh që nuk kanë asnjë kujtim historik të përbashkët me viktimat. Shtrohet atëherë çështja delikate për të ditur arsyen që mbarë njerëzimi duhet të kujtojë Shoah, të tillë si detyrë morale. Përse duhet të marrin pjesë në këtë përkujtim, për shembull, Tajlandezët, Meksikanët, Etiopianët apo Zelandezët ?
Njerëzimi si i tillë nuk përbën një bashkësi kujtese. Përse do të duhej pra që ai të përkujtojë pikërisht këtë ngjarje – Shoah – që ka ndodhur në Europë ? Disa, ku futem dhe unë, çmojnë që kjo vjen nga karakteri i saj unik, i pashembullt në historinë e njerëzve. Së pari, bëhet fjalë për një vrasje industriale të kryer në kampe përqëndrimi – çka kjo nuk ishte parë kurrë deri atëherë. Nga ana tjetër, aty gjejmë një bashkërendim poshtërimi dhe shkatërrimi sistematik – bashkërendim i cili, mos qoftë krejt i paparë, mbetet jashtëzakonisht i rrallë. Nazistët kanë ushtruar mbi homoseksualët një poshtërim sistematik, ata kanë zbatuar një politikë shfarosjeje sistematike të Ciganëve. Por vetëm çifutëve iu janë shkaktuar të dyja.
Sidoqoftë, uniciteti i Shoah nuk është ajo që e bazon moralisht këtë detyrë kujtese. Nëse ka një kuptim në këtë që tërësia e njerëzimit t’i bashkohet këtij përkujtimi, kjo është ngaqë Shoah është një shfaqje e së keqes rrënjësore. Mirëpo, me të keqen rrënjësore, janë vetë themelet mbi të cilët prehet rendi i moralit që janë të tronditura. Të hamendësosh një njerëzim të përbashkët për të gjithë njerëzit, kjo përfaqëson në fakt një kusht bazë për vendosjen e një morali. Me konceptimin e tyre racist, politikën e tyre të shkatërrimit sistematik të çifutëve, nazistët nuk janë mjaftuar vetëm të ndjekin një sjellje imorale në fakte. Ata kanë tronditur parakushtin themelor mbi të cilin prehet një njerëzim i përbashkët. Shoah përbën një sulm kundër vetë mundësisë së një rendi moraliteti dhe, në këtë kuptim, ajo përfaqëson pikërisht një shenjë alarmi që i drejtohet mbarë njerëzimit. Vendosja e një rendi të moralitetit është interesi më i lartë i çdo njeriu. Ja përse përkujtimi i Shoah është në interesin e mbarë bashkësisë njerëzore.
Përkthyer nga hebraishtja
Nicolas Weill
© Avishai Margalit/Le Monde



del.icio.us
Digg
Post your comment