Shembja e nazizmit, e pare se brendshmi
" Ne kemi përcjellë një politikë aq radikale vetëm përsa i përket çështjes çifute. Kjo politikë është e drejtë dhe sot ne kemi përfitime nga kjo ".
Perkthyer nga frengjishtja
Urim Nerguti
Kur në Tetor 1923 Joseph Goebbels vendos të mbajë një ditar, ai është asokohe veçse një 25 vjeçar, doktor në filozofi, dhe me një të ardhme të pasigurtë. I kompleksuar nga shkurtabiqësia e tij dhe nga ajo këmbë e shtrembër që e ka penguar të marrë pjesë në luftën e madhe 1914-1918, ai nuk do të vonojë të heqë dorë nga karriera letrare të cilën e ëndërron, në mungesë të botuesve të cilët ia kthejnë mbrapsht të gjitha dorëshkrimet. Sidoqoftë, ai nuk mund ta marrë me mend që agjitatori i turbullt mustaqelli i cili përgatitet të provojë një puç në një birrari të Mynihut, do ta caktojë atë, njëzet e dy vjet më vonë, si zëvendësin e tij në krye të Rajhut III që po jepte shpirt.
Për nga vëllimi i ditarit (42 783 faqe), nga shtrirja e tij kronologjike (17 Tetor 1923 - 10 Prill 1945) dhe nga vendi i lartë që autori i tij zinte në parti dhe në shtetin nazist, ky Ditar i Goebbels është një dëshmi si asnjë tjetër. Kjo është të thuash interesin e botimit të tij në gjuhën franceze, edhe pse botimet Tallandier kanë zgjedhur të botojnë aty veçse copëza të shkëputura, duke përfshirë në katër vëllime pjesët më domethënëse të një teksti i cili, në botimin referencë të Institutit të historisë bashkëkohore të Mynihut (1993-2005), zë njëzet e nëntë vëllime.
Vëllimi që sapo është shfaqur është pra kronika e shembjes ushtarake të Rajhut, që nga disfata e Stalingradit, fillim 1943, e deri në shpartallimin e pranverës 1945. Në këtë vëllim duket qartë vështrimi i dykuptimtë që autori ka mbi atë çka ai do të duhej ta mbante për një katastrofë, por të cilën e vëzhgon në fakt me një kënaqësi dinake. Për Goebbels, çdo disfatë është një rast për të vjellë zjarr dhe hekur mbi paaftësinë e shefave politikë dhe ushtarakë – duke filluar që nga Goering, ky "optimist nga natyra" që "shkon shpesh me pushime" dhe që "nuk shqetësohet aq sa duhet me çështjet thelbësore" — për të nxjerrë në pah më mirë këndvështrimet e tij të veta pranë Hitlerit.
Ministri i propagandës, që është gjithashtu Gauleiter i Berlinit, ka në fakt një qëllim të madh : "luftën totale", dmth sundimin absolut të aparatit të shtetit mbi shoqërinë dhe ekonominë, sundim të cilin ai përpiqet ta paraqesë si "udha e vetme drejt fitores". Një shënim i 4 Marsit 1944 na jep një ide mbi vendosmërinë e tij : "Ne kemi përcjellë një politikë aq radikale vetëm përsa i përket çështjes çifute. Kjo politikë është e drejtë dhe sot ne kemi përfitime nga kjo". Që ai ia del mbanë ta bindë Hitlerin për ta emëruar Goebelsin "të plotfuqishëm në luftën totale" pas atentatit të dështuar të 20 korrikut 1944, kjo tregon qartë çmendurinë e një regjimi i cili largohet gjithnjë e më tepër nga realiteti ndërkohë që shthurja afrohet dita-ditës.
Me kusht që të lexohet me largësinë që duhet – detyrë kjo e lehtësuar nga shënimet e bollshme të historianit Pierre Ayçoberry —, ky Ditar na ofron një zhytje mbërthyese në misteret e Rajhut III : një sistem njëkohësisht diktatorial dhe polikratik, monolitik dhe anarkik, ku pushteti varet më pak nga privilegjet zyrtare sesa nga besimi i dhënë nga shefi suprem ndaj vartësve të tij. Goebbels e ka kuptuar këtë dhe çdo faqe e ditarit të tij dëshmon mbi servilizmin e tij të pashembullt kundrejt Hitlerit. Lake cinik apo fanatik i sinqertë ? Do të mbetet mister psikologjia e një njeriu i cili, më 1 maj 1945, vrau veten pasi, bashkë me të shoqen, kanë helmuar gjashtë fëmijët e tyre.
DITAR 1943-1945, nga Joseph Goebbels. Botim i përgatitur nga Horst Möller dhe Pierre Ayçoberry. Përkthyer nga gjermanishtja Dominique Viollet, Gaël Cheptou dhe Eric Paunowitsch, Tallandier, 798 faqe, 35 €.
Thomas Wieder
Le Monde des livres



del.icio.us
Digg
Post your comment