Pesha e Ortodoksise
Ateizmi komunist, a e ka ndryshuar me të vërtetë, në mos fshirë, natyrën psikike të njeriut fetar ortodoks ?
Përkthyer nga frëngjishtja
Urim Nerguti
Kam pasur fatin, falë babait tim, të njoh dhe të provoj forcën e rezistencës që fle në besimin ortodoks. Nuk do të sjell pra këtu gjykim vlerash dhe as nuk do të mburr « shkëlqimet » e kësaj dege të krishterë përkundër « mangësive » të tjetrës. Por do të përpiqem të them sesi më shfaqen mua pasuritë dhe caqet e subjektivitetit të tillë siç e ka përpunuar ortodoksia. Dhe të hamendësoj mbi aftësitë e tij – ose jo – për të përballur krizën morale që trondit sot Ballkanin, dhe mbarë Europën me të.
Imazhi i Serbëve që tallen me Perëndimin dhe që ofrohen si shenjestra shpaguese në vend të diktatorit të tyre është, përveç eksodit masiv të Kosovarëve, enigma madhore që bren opinionin, sepse ajo shkakton në zemër të Europës një ndarje që nuk është afër të përthahet : « Ata » atje dhe « Ne » këtu.
Ja pra ne të përballur me dallimin kulturor, në mos me një humnerë ndërmjet këtyre kulturave, që universalizmi ynë i nxituar do të kishte parapëlqyer ta shpërfillte. Ky moskuptim ndërmjet dy degëve të qytetërimit europian nuk është vetëm përftimi i një komunizmi që nuk ka përfunduar ende së shpërbëri – madje ai i ish-Jugosllavisë, duke mos qenë versioni më i mbyllur. Ky moskuptim është i lidhur me historinë ballkanike dhe me pasojat e pesë shekujsh pushtim osman.
Megjithatë, do ta kishim gabim të harronim që mospajtimi ndërmjet « atyre » dhe « neve » është gjithashtu pasojë e një « gjendje shpirtërore », e « një mënyre të qenuri » të burrave dhe grave, të cilat ndërtohen përmes historisë dhe ku përvoja fetare e brezave të mëparshëm luan një rol të rëndësishëm.
Neve na mungon një antropologji fetare për t’i kapur më mirë këto ndjenja të lënduara, këto krenari të plagosura, këtë « përthyerje » të individëve nën unitetin shpëtimtar të « kombit të madh serb » si shpëtimi i vetëm identitar. Por edhe reagimet e Kosovarëve dhe të Shqiptarëve myslymanë, të cilët i kemi rreshtuar shpejt në kategorinë e vetme të viktimave.
Nëse ne duhet të mendojmë qysh tani « pas-luftën », vështirësia e fqinjërisë ndërmjet Shqiptarë, Kosovarë dhe Serbë nuk është e vetmja gjë që të na tërheqë vëmendjen. Më dinake, ose ndryshe e pazgjidhshme, më duket të jetë një çështje tjetër : si të rindërtohet uniteti europian përsipër prishjes ndërmjet popujve ortodoksë dhe popujve të tjerë të bashkësisë europiane ? Sepse pikërisht, manifestuesit e urave të Beogradit si dhe propaganda cinike e vetë regjimit lidhen pas Kosovës për t’i ruajtur këto « manastire që janë djepi i qytetërimit tonë ».
Patriarku i Moskës thërret për solidaritet ortodoks ; ai i Beogradit duket sikur nuk e miraton spastrimin etnik, por hesht. Ortodoksët e shpërndarë në mbarë botën janë të shqetësuar, çka kjo nuk i pengon të rrënqethen për « vëllezërit e tyre serbë ». Nuk duket të ketë disidentë të Millosheviçit në Serbi, ndërsa gjejmë të tillë në Algjeri, në Iran, në Irak.
Do të mbetet të vlerësojmë se cilat janë përfitimet që këta burra dhe këto gra kanë mundur të gjejnë në besimin e tyre nacional-ortodoks, në atë pikë që të ngatërrojnë regjimin e Millosheviçit me të. Por edhe çfarë pengesash ngre ky besim ndaj hyrjes së tyre të dëshiruar dhe të dëshirueshme në bashkësinë europiane. Ateizmi komunist, a e ka ndryshuar me të vërtetë, në mos fshirë, natyrën psikike të njeriut fetar ortodoks ? Apo e ka përcjellë nën një formë të sapolindur, por jo më pak vepruese ?
Në këtë këndvështrim, drama e Kosovës nxjerr në pah një ndarje të Europës që ringjitet tek Shizma e Madhe e 1054-ës ndërmjet Bizantit dhe Romës, ndërmjet ortodoksisë dhe katolicizmit. Ndonëse shenjat e dukshme të fesë të mos jenë të treguara gjithmonë, lufta ndërmjet Serbëve dhe Kosovarëve është një luftë e mbytur fetare, dhe aq më tepër shkatërruese që nënkuptimet fetare janë të përjetuara si një qartësi e padiskutueshme. Një laicitet në sipërfaqe, që e ka thithur fenë e nënkuptuar dhe të pavënë në dukje, shënon vetë dështimin e shekullarizimit. Përtej dallimeve të padiskutueshme kombëtare dhe historike, « problemi serb » rrezikon të zbulohet në një shkallë më të gjerë sesa ajo e popujve ortodoksë në tërësinë e tyre.
Pesëdhjetë vitet e komunizmit që kanë rrjedhur mbi këtë truall fetar, më shumë e kanë ndrydhur këtë truall sesa e kanë çmontuar, dhe nuk është e lehtë për të vlerësuar atë çka mbetet sot nga besimi ortodoks. Mjaft vëzhgues vërejnë që, megjithë një largim të dukshëm nga traditat fetare, këto të fundit mbeten të gjalla dhe përforcohen në kohë krize apo lufte. Ato ndikojnë – në mënyrë të nëndheshme, të pavetëdijshme – në mënyrën e jetesës, zakonet, mendësitë dhe qëndrimet vendimtare të personave në organizimin politik dhe ekonomik të shoqërisë së tyre. Kur dogmat e komunizmit të vendosura me dhunë lëshojnë pe, vendin e tyre e zënë përnjëherë rutinat e sjelljes, lloje « vetvetishmërish » të programuara nga traditat familjare.
Vuajtja ime vjen nga përshtypja e pështjellimit të thellë që më lënë popujt sllavë ortodoksë të çliruar – por jo të lirë megjithatë. Nuk mendoj se ekziston një « psikologji popullore » globale, sepse besoj thellësisht në veçantinë e individëve ; dhe as nuk i mvesh fesë forcën e një përcaktueseje të vetme të sjelljeve, aq më tepër që unë e di sa i pasigurtë është roli i saj në rajone të mbushura me folklor dhe paganizëm siç në Ballkan, dhe sa i madh është mospërfillja e brezave të rinj kundrejt saj.
Por nuk mbetet më pak që, midis faktorësh të tjerë shoqërizimi, konceptimi i personit të ndërtuar nga feja – të përpunuar nga Historia dhe duke e përpunuar këtë Histori më pas – lë gjurmën e tij mbi të gjithë, dhe se, pa dijeninë tonë, ky konceptim ndikon psikizmat dhe sjelljet tona. Popujt që dëshirojnë të përfshihen nesër në një Europë të zgjeruar ua dërgojnë njëri-tjetrit konceptimin e tyre specifik dhe të nënkuptuar të individit, nën formë konfliktesh të cilat paraqiten (më e keqja) si luftra fetare ose (më e mira !) si rëndesa, si papajtueshmëri të pakapërcyeshme.
Le të marrim, për shembull, një datë simbolike – 1793 – me qëllim që të masim atë çka ne e ndjejmë sot si një moskuptim ndërmjet « atyre » dhe « neve ».
Më 1793, Terrori përgjak lirinë të cilën sapo e ka shpallur Revolucioni Francez më 1789. Në vetë çastin që liria shpaloset në Trilogjinë Republikane – Liri-Barazi-Vëllazëri –, në emër të saj vriten armiqtë e saj.
Më 1781, Kant ka publikuar Kritika e arsyes së kulluar, të cilën do ta plotësojë me Kritika e arsyes praktike më 1788, dhe që përmban meditimin më të kthjellët mbi thelbin liridashës të vetes njerëzore, të përcaktuar si një shpirt të lirë të paisur me një vullnet të pavarur, me një aftësi për të rifilluar.
Në po të njëjtin vit 1793, murgu rus Paissi Velitchkovski përkthen nga greqishtja një përmbledhje lutjesh të quajtur « Philocalie » (« Lutje e zemrës ») e cila predikon bashkimin intim të spiritualitetit dhe dijes. E njohur në Greqi qysh në shekullin e XI-të, e përhapur gjerësisht në shekullin e XIV-të, kjo traditë bizantine (« Heshtje dhe paqe e bashkimit me Zotin ») kërkon njëfarë « lirie » të besimtarit, liri e cila nuk është gjë tjetër veçse një heshtje e unit, një zhvendosje e zgjuarsisë dhe e arsyes drejt zemrës, kjo e fundit e kuptuar si poli i një pafundësie të paparaqitshme dhe burimi i një intuite të hyjnisë së pashlyeshme.
Vija e asketëve të quajtur « startsy » frymëzohet nga këtu : të sjellim ndërmend personazhin Zossima në Vëllezërit Karamazov, të Dostojevskit. Më 1793, popujt e Ballkanit janë ende nën pushtimin turk, dhe Kisha Ortodokse ka dy koka : Konstandinopojën dhe Moskën. Por kur ato do të zbulojnë pavarësinë politike, burimet e përbashkëta të besimit ortodoks, përtej varianteve të tij, do të jenë emëruesi i tyre i përbashkët.
Kanti dhe nxënia nga njëra anë, dhe « lutja e zemrës » nga tjetra. Jemi të tunduar të shohim, në këto dy skaje të zgjedhura qëllimisht, një figurë të humnerës që ndan dy konceptimet e subjektit dhe të lirisë së tij : ai i ortodoksisë, dhe ai i Perëndimit, me degët e tij katolike dhe protestante. Përveç nëse këtu të ketë një mundësi dialogu ndërmjet dy polesh të kundërta por plotësuese të lirisë.
Ndaj qartësisë së vullnetshme të nxënies, ndaj ngulmimit të saj mbi pyetësimin dhe kritikën, që shkon deri për të vënë në çështje jo vetëm hyjninë, por dhe vetë lidhjen shoqërore, kundërvihet dehja ortodokse e një intimiteti fetar të pashlyeshëm dhe e bashkësisë kishtare në të cilin lulëzon ky intimitet. Dalldia e saj e mistershme dhe e zjarrtë, vrulli i saj për osmozë që mund ta cilësojmë «mistike » do të përcillen në lëvizjen nihiliste, në rrymat ateiste dhe gjithashtu komuniste. Në të tillë mënyrë që këto ideologji, dukshëm çliruese dhe kritike, shndërrohen në fakt në ideologji fetare, në këtë kuptim që ato prehen mbi përkatësinë shpirtërore jo kritike të subjekteve që bëjnë pjesë aty.
Prirjet e ortodoksisë për instrumentalizim politik, të cilat datojnë mjaft përpara Shizmës së Madhe të 1054, gjenden në Kishat e ndryshme kombëtare – ruse, greke, bullgare, serbe, rumune, etj. Unë quaj « instrumentalizim » varësinë kishtare kundrejt pushtetit politik, dhe që shpesh ka përfunduar në zbehje, në mos në nënshtrim të plotë. Ky instrumentalizim rrënjoset në principin bizantin sipas të cilit patriarku e mban territorin e tij nga një akt i së drejtës shekullare, pra të përcaktuar nga konjunktura politike – ndërsa përkundrazi Roma përdor një të drejtë hyjnore.
Bazileu (perandori bizantin) përzihet në çështjet e Kishës, ai zgjedh patriarkun dhe, në shkëmbim, Kisha ndihmon për stabilitetin social dhe për arkaizmin e fesë. « Për një të krishterë, s'ka Kishë pa perandor » : fraza e patriarkut Andon e shqiptuar në shekullin e XIV-të ka pasur një jehonë të tejskajshme, kur analizojmë aleancat – madje nënshtrimet – politike të Kishave ortodokse gjatë shekullit të XX-të, dhe veçanërisht nën komunizëm.
Ky ndërveprim arrin kulmin e vet në njëjësimin e Kishës me kombin : mbartës i shteteve të reja sllave në Mesjetë (të cilat nxisin në veçanti shpikjen e alfabetit cirilik nga vëllezërit Cirili dhe Metodi në shekullin e IX-të), ai arrin në këtë osmozë të përnjëhershme ndërmjet besimit dhe nacionalizmit ku Serbia ofron sot një shembull dramatik.
Do të mund t’i linim mënjanë pasojat thjeshtuese dhe shpërthyese të kësaj amalgame kur bëhet fjalë për të vlerësuar në Ballkan rolin çlirimtar të Kishës ortodokse, veçanërisht gjatë shekullit XIX-të, kundër pushtimit turk. Përkundrazi, të gjitha padukjet e rrezikshme të integrizmit, të cilat i fsheh kjo osmozë ndërmjet besimit dhe nacionalizmit, kanë qenë valëvitur me forcë qysh prej dhjetë vjetësh në tragjedinë jugosllave, dhe rrezikojnë të shfaqen dhe gjetkë.
Një dëgjim analitik do të mund ta mbërthente dinamikën psikike të subjektit që ndërtohet në Trinitetin ortodoks, si dhe pasojat e saj mbi objektet e dëshirës dhe mendimit (Olivier Clément ka komentuar me finesë kuptimin e saj fetar, Alain Besançon ka dhënë dhe një interpretim psikanalitik). Shpirti i Shenjtë rrjedh nga Ati nëpërmjet të Birit për ortodoksët (« Per Filium ») ; Shpirti i Shenjtë rrjedh nga Ati dhe nga i Biri për katolikët (« Filioque »). Ndërsa « dhe-ja » katolike vë barazi At dhe Bir, përvijon autonominë dhe pavarësinë e personit (atë të Birit si dhe atë të besimtarit) dhe hap udhën për individualizmin dhe personalizmin perëndimor, « nëpërmjet-i » ortodoks sugjeron një asgjësim të mrekullueshëm por të rrezikshëm të Birit dhe të besimtarit.
Kur ajo nuk është zhdukur thjesht nga adhurim-feminizimi i Birit, revolta nuk mund të shprehet ndryshe përveçse brutalisht nëpërmjet shkatërrimit – pasiqë autoriteti hyjnor i pallogaritshëm nuk mund as të diskutohet, as të kritikohet, as të bisedohet. Zelli shkatërrimtar më shfaqet si një pasojë tjetër e kësaj lidhje të paparaqitshme dhe simbiotike At/Bir. Negativiteti i duruar i gjykimit e lë veten atëherë të mbytet nga ndjesia tërbuese dhe asgjësuese e nihilizmit, e cila shkatërron normën e vjetër për të ngritur një vlerë të kundërt, po aq të padiskutueshme dhe të pakritikueshme.
Në të njëjtën kohë që frenon individimin, ortodoksia ka përparësinë të sjellë të mundshme shprehjen e shtresëzimeve psikike më të hershme : ato të mazohizmit dhe të depresionit pre-edipian. Zhytje të tilla nuk munden tjetër përveçse të magjepsin individin perëndimor bashkëkohor, kur shembet joshja e erotizmit – tashmë i banalizuar dhe i tregtuar –, në një shoqëri gjithnjë e më lejuese, çka kjo favorizon ringjalljen e rajoneve të psikizmit të cilat edipja i ka mbuluar tepër shpejt dhe keq. Të gjithë e dinë se përmasa katastrofike dhe, në veçanti, depresive e psikizmit, që rrënjët e së cilës janë të mëparshme ndaj ndërtimit dhe çlirimit edipian, rikthehet sot e plotë : kjo përmasë thellon një çarje mirëfilli të paemërtueshme në psikikën « tonë » moderne, dhe shtrihet në zemër të këtyre « sëmundjeve të reja të shpirtit » që janë kalimi tek akti i dhunshëm në delinkuencën, toksikomaninë, psikosomatozat, etj. Në këtë kontekst të ri, teprimet e « tyre » të depresivitetit dhe përvoja e « tyre » pasqyrojnë në mënyrë të hapur, të shkoqur dhe të egër, pështjellimin « tonë ».
Një fe nuk mund të na shpëtojë. Ende më pak zënia e frymës së saj nën pretekstin e laicizimit. Do të ishte historikisht e drejtë për të filluar së federuari rrymat e ndryshme të kristianizmit të cilat, në pjesën më të madhe, ndajnë spiritualitetin në Europë. E tillë është detyra e Kishave, por dhe e intelektualëve. Mbi bazën e këtij federimi, të vështirë por të domosdoshëm për t’u ndërtuar, do të bëhej fjalë për të ndërmarrë një rindërtim moral dhe subjektiv të vendeve ish-komuniste ortodokse. Vetëm atëherë, duke u nisur nga tradita e tyre e riparë dhe e risuar, do të bëhet e mundur një punë e vërtetë laike dhe kritike, edukimi dhe pyetësimi filozofik, duke pritur çështje më të guximshme dhe duke dalë mbi një shekullarizim të vërtetë. Por nuk mund të krijojmë një administrim dhe një ekonomi demokratike, as dhe të shmangim padukjet e kësaj gjendje lufte që e quajmë « ballkanizim » dhe që kulmon në neverinë e eksodit kosovar, pa ndërtuar një subjektivitet të lirë. Të dyja detyrat, politike dhe shpirtërore, janë paralele.
« Zoti ka vdekur, gjithçka është e lejuar », bërtet nihilisti dostojevskian. Le të shtrojmë çështjen e të diturit nëse struktura e nihilizmit nuk është fshehtësisht e brendshme dhe e pandashme nga mistika ortodokse : po sikur të ishte kjo, që gjithçka është e lejuar ngaqë Zoti është i papërfytyrueshëm dhe i pakundërshtueshëm ?
« Ata » dhe « Ne ». Duket e ngutshme për të tejkaluar shizmat duke rivlerësuar thesaret dhe duke hetuar qorrsokaket që gjenden nga të dyja anët. Shndërrimi i kujtesës fetare, siç shndërrimi i metaleve nga alkimistët, nuk do të duhej të kursente askënd, as « Ata », as « Ne ».
Julia Kristeva
Le Monde, 18-19 prill 1999



del.icio.us
Digg
Post your comment