Home | Opinion | Hyrje në politike dhe udhëheqja me institucionet

Hyrje në politike dhe udhëheqja me institucionet

Font size: Decrease font Enlarge font
image

Të merresh me politike apo politika të merret me ty, janë dy çështje që kërkojnë një trajtim të mirëfilltë, sidomos në rrethanat e krijuara jo vetëm në Ballkan por në gjithë globin. Në politikë nuk mjafton të jesh vetëm elokuent (orator) i mirë, krahas kësaj, një politikan duhet të posedojë

 

 

 

Ardian Azemi

 

 

Vendimmarrësit politikë dhe veprimi i tyre, në mënyrë permanente duhet të përligjen para opinionit publik, ta informojnë atë mbi planet dhe vendimet politike dhe të tërheqin vëmendjen e tij, dhe në asnjë mënyrë nuk guxojnë të mbyllen në veten e tyre duke injoruar opinionin e gjerë.

Të merresh me politike apo politika të merret me ty, janë dy çështje që kërkojnë një trajtim të mirëfilltë, sidomos në rrethanat e krijuara jo vetëm në Ballkan por në gjithë globin. Në politikë nuk mjafton të jesh vetëm elokuent (orator) i mirë, krahas kësaj, një politikan duhet të posedojë edhe cilësi tjera që do të reflektonin një politikan si të kompletuar. Me të drejtë mund të pyesim, a janë politikanët tanë që po udhëheqin me shtetit të kompletuar në mënyrë që me plotë kuptimin e fjalës t’i themi lider..? Sinqerisht, politika e tanishme nuk ka të bëjë asgjë me realitetin, sinqeritetin, devotshmërinë, konsekuencën, por kategorikisht ka të bëjë me fleksibilitetin, apetitin për të ardhur në hierarkinë shtetërore, ‘dilinxhillëkun’, dredhinë, dhe me ambicie të sëmura të cilat gjithsesi sjellin dëme edhe vendit edhe të ardhmes së tij.

Demokracia dhe anarkia nuk mund të dallohen nga njëra-tjetra te një popull, i cili udhëhiqet nga ata që nuk arrijnë të definojnë qartë këto terme. Se a janë të nivelit të duhur partitë politike në Kosovë për të kuptuar demokracinë e shëndoshë dhe të mirëfilltë, dhe se a janë në nivelin e gatshëm për t’i tejkaluar gërrqet me të cilat karakterizohen disa grupacione politike, neve si popull shqiptar na bëjnë të dyshojmë se ka ose jo koncept për ndryshim, kisha me thënë se a ka ose jo edhe vullnet për të ndryshuar.

Këto pyetje dhe dilema shumë të theksuara do të prekin partitë politike dhe ekzistencën jetësore të spektrit politik që funksionon në Kosovë. Këto çështje që trajtohen lidhur me demokracinë në vend, funksionimin e institucioneve, shumë partive politike në Kosovë, janë çështje mjaftë kruciale për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, dhe në theks të veçantë për të ardhmen e sajë.

Disa kategori politikanësh

Nga kjo pak përvojë që kam në politikë, në këtë mendjen time të çoroditur kam mbjellë një mendim i cili ka të bëjë me disa kategori politikanësh të cilët domosdo e karakterizojnë kohën e deritanishme.

- Në kategorinë e parë bëjnë pjesë personalitete politike të cilët do t’i quaja personalitete që karakterizohen me servilitetin, dëgjueshmërinë e bosëve, përulja para të keqes, dyfytyrësia etj. Politikanë të këtillë për fat të keq kemi me bollëk në Kosovës, të cilët tani e dymbëdhjetë vite e kanë sakatosur Kosovën duke e gjunjëzuar shpeshherë para sfidave dhe proceseve të ndryshme, ndaj të cilave assesi nuk është dashur të gjunjëzohen.

- Në të dytën bëjnë pjesë disa personalitete të cilët i karakterizon profesionalizimi, mendimet dhe qëndrimet e prera dhe me vend, mostërheqja nga rruga e drejtë, dhe komunikimi i drejtë dhe i sinqertë me popullin. Mirëpo, kjo kategori e personaliteteve nuk merret me politikë, jo për shkak se nuk duan, por për shkak se u minohet tereni politik dhe injorohen nga kategoria e ultë e politikanëve, krejt kjo si pasojë e frikës nga konkurrenca dhe oponenca politike.

- Kategoria e tretë e politikanëve është kur para se të vijë në pushtet reflekton një natyrë të përsosur të sinqeritetit, devotshmërisë dhe kujdesit ndaj qytetarit. Në momentin që vijnë në pushtet, ndryshon qasjen dhe mënyrën e veprimeve, përdorin forcën për të eliminuar oponenca politike dhe natyrisht, në saje të kësaj arrijnë të mbajnë pushtetin përderisa populli t’i ndëshkoj përmes votës, natyrisht, kjo zgjat disa vite.

Shembuj të këtillë ka mjaft në historinë e shoqërisë njerëzore, madje si të këtillë vazhdojnë ende të mbajnë pushtete në shumë shtete të ndryshme të botës. Fatkeqësisht, edhe në trojet shqiptare kemi me bollëk të tillë politikanë që i nënshtrohen trysnive dhe gjunjëzohen para momenteve më delikate për vendin dhe iu imponohen përdhunshëm kohës. Kjo u dëshmua edhe me ngjarjet e fundit që ndodhën ne veriun e Kosovës.

Rreziku nga ndarja e Kosovës, nuk është risi

Dymbëdhjetë vite nuk arritën të shtrijnë autoritetin qeveritar në gjithë territorin e Kosovës, dhe tani e bënë një gjë të tillë, dhe prapë tërhiqen nga ky veprim kushtetues. Dhe natyrisht, çfarë mbetet tjetër të thuhet këtu, vetëm se këta politikanë duhet t’i nënshtrohen një kursi intensiv për t’u përgatitur politikisht, ngase politika dhe institucionet tona janë larg njëra-tjetrës.

Përderisa kryeministri i Republikës së Kosovës deklaron se nuk ka kthim mbrapa dhe se nuk ka rikthim në gjendjen e para 25 korrikut, njëri nga udhëheqësit e partisë në pushtet PDK dhe njëherit ministër në qeverinë e Kosovës shpërfaqë frikën nga ndarja e Kosovës. Po e citoj: “Rreziku është shumë real dhe kjo mund të ndodhë. Kjo varet nga reagimi i fuqive të mëdha për situatën në veri. Varet nga ajo sesi NATO-ja do të mbështesë prezencën e KFOR-it në pjesën veriore” për të vazhduar më tutje se “ kjo varet gjithashtu nga ajo se sa do të ketë presion diplomatik ndërkombëtar mbi Beogradin. Nëse nuk ka presion, realiteti është se ndarja e Kosovës do të ndodhë”.

Kur mysafiri dirigjon në shtëpi të huaj

Nuk është për tu befasuar, sinqerisht jo. Ndarja e Kosovës gjithsesi po ndodh, kjo është si pasojë e mosfunksionimit të shtetit dhe pushtetarëve. Institucionet e Republikës së Kosovës i ngjajnë një teatri të kukullave ku lëvizjet i bëjnë aktorët, në këtë rast aktorët janë evropianët dhe perëndimorët.

Nuk është risi kjo, një gjë e tillë është thënë shumë herë nga liderë opozitarë dhe analistë të ndryshëm politikë, se ndarja e Kosovës është opsion i mundshëm me vet faktin se Prishtina zyrtare ka pranuar të futet në bisedime pa ndonjë agjendë të qartë, dhe pa ndonjë platformë e cila do t’i qartësonte qëndrimet e palës shqiptare, gjegjësisht të institucioneve të Kosovës dhe popullit të saj.

Mendoj se deklarata e ministrit Hoxhaj është një veprim i qëlluar, për faktin se në momentin e fundit del dhe i tregon popullit për rrezikun që i kanoset vendit. Ata që mund të drejtojnë akuza në adresë të ministrit Hoxhaj, mendoj se e kanë gabim, sepse është i pari njeri nga institucionet qeverisëse edhe pse shumë me vonesë, del dhe hapur tregon për rrezikun. Kosova megjithatë po ndahet, rruga drejtë ndarjes nuk ka nisur tani, por menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ndërsa u zgjat me rastin e futjes në bisedime me Serbinë, edhe pse iu është tërhequr vërejtja për rrezikun që mund të kemi si shtet.

Për fund, politika demokratike në fakt është e detyruar të argumentojë e të pranohet, vendimmarrësit politikë dhe veprimi i tyre, në mënyrë permanente duhet të përligjen para opinionit publik, ta informojnë atë mbi planet dhe vendimet politike dhe të tërheqin vëmendjen e tij, dhe në asnjë mënyrë nuk guxojnë të mbyllen në veten e tyre duke injoruar opinionin e gjerë, nga i cili marrin besimin dhe legjitimitetin për të qeverisur me vendin.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
No tags for this article
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.7