Home | Opinion | Përmasat e vërteta të dëshpërimit të shqiptarëve

Përmasat e vërteta të dëshpërimit të shqiptarëve

Font size: Decrease font Enlarge font
image

Për t’i shpëtuar ndëshkimit, kjo klasë politike po bën çmos të izolojë Vettingun. Për këtë kjo klasë politike ka nxjerrë në dritë edhe Republikën e Re. Sepse Vettingu për atë gjë na duhet, të na orientojë në rrugën e ndërtimit të shtetit. Ndaj ne shqiptarët e kërkojmë sa më shpejt Vettingun...

 

 

 

 

Riza Hoxha

 

 

 

Pavarësisht situatës tepër të rëndë dhe si po menaxhohet nga klasa politike që ende kemi nëpër këmbë, për ne shqiptarët përmasat e dëshpërimit sa vijnë e rriten. Jemi të dëshpëruar se nuk po shohim as dritën më të vogël në fund të tunelit. Në çdo hap që bëjmë shohim si po mbizotëron pabarazia, si është instaluar pseudo gara e pseudo konkurrenca qoftë edhe për një vend pune si pastrues, vend pune që është taksur për një pjesëtar të familjes në pushtet. Të gjithë heshtim sepse as për t’u ankuar nuk ke se ku. Në këtë vend, as drejtësinë nuk e njeh njeri. Pra, në këtë vend nuk mund të bësh fjalë për standarde. Fjala “standard” është ende e huaj për shqiptarët. Sepse tjetër standard ka për shumicën e shqiptarëve e tjetër standard ka për grupin e oligarkëve dhe pjesëtarët e familjes në pushtet, që mbeten ende të paprekshëm nga ligji.

 

 Jemi të pushtuar nga dëshpërimi për të nesërmen krejt të pasigurt të fëmijëve tanë. Bile as nuk shohim ndonjë rreze drite në tunelit e errët të së nesërmes. Grupi i oligarkëve dhe pushteti familjaro – politik “ka pushtuar” gjithçka në këtë vend. Aq sa ne të tjerëve na është bërë e zakonshme të dëgjojmë nga pjellat e pushtetit familjaro – politik se, “vdesin për t’u bërë pakëz drejtor”, apo nuk dinë të bëjnë punë tjetër “vetëm atë të drejtorit”. Një dukuri e tillë është evidente, veçanërisht në ndërrimin e pushteteve, kur oligarkët dhe familja turren si çakenj drejt karrigeve të pushtetit.

 

 Çakenjtë vetëm për një gjë nuk duan t’ia dinë. Për të vërtetën që mund të sjellë pushteti i tyre. Sepse deri tani ne shqiptarët kemi njohur prej kësaj palo klase politike vetëm mashtrime të pafund. Sa ne të vegjëlve na vjen neveri t’i kujtojmë mashtrimet e pafund që kemi përtypur gjatë këtyre 27 viteve. Edhe tani që jemi në startin e një fushate elektorale, asnjë prej myteberëve të politikës nuk di të na thotë se çfarë është në gjendje të bëjë, çfarë është në gjendje të ndryshojë në këtë vend ku sundues të plotfuqishëm në një kuptim janë maskarenjtë. Të gjithë vetëm premtojnë, po si mund t’i realizojnë këto premtime, askush nuk na e thotë. Ne shqiptarët kemi mbetur të zhgënjyer, po për këtë asnjërës forcë politike nuk i hyn gjë në xhep. Sot mes tyre ka nisur një garë e çuditshme. Secila akuzon se, “kundërshtari i vet ka drejtësinë në dorë”. “Ne nuk duam t’ia lëmë në dorë drejtësinë klanit mafioz të kundërshtarit”, thotë secila forcë politike duke akuzuar kundërshtarin. Aq sa sot duket se vetë shqiptarët nuk e dinë se, ç’monstër po vegjeton jo vetëm në drejtësi, por edhe në politikë, në ekonomi, në çdo fushë të jetës.

 

 Ndërsa afrohet dita e zgjedhjeve, secila palë përpiqet të fitojë pikë jo përmes zgjedhjes së problemeve, por përmes turbullimit sa më të madh të tyre. Ndërsa shqiptarët të zhytur në varfëri vështrojnë me indiferentizëm çfarë po bëjnë politikanët që vazhdojnë ta kenë mendjen të realizojnë fitime përrallore. Kësisoj të dyja palët tashmë askund nuk takohen. Sikur jetojnë në galaktika të veçanta. Aq sa tashmë shqiptarët kanë nisur ta pranojnë nën zë se, “çfarë po shohim, kjo klasë politike po na tregon se ne shqiptarët nuk dimë të bëjmë shtet”. Një pohim që brenda vetes ka një të vërtetë: shqiptarët janë të tejlodhur dhe çfarë kanë parë këto 27 vjet u duket se, “vërtetë nuk ia kemi idenë të bëjmë shtet”.

 

 Për t’i shpëtuar ndëshkimit, kjo klasë politike po bën çmos të izolojë Vettingun. Për këtë kjo klasë politike ka nxjerrë në dritë edhe Republikën e Re. Sepse Vettingu për atë gjë na duhet, të na orientojë në rrugën e ndërtimit të shtetit. Ndaj ne shqiptarët e kërkojmë sa më shpejt Vettingun: të orientohemi në rrugën për të bërë një shtet efikas dhe në shërbim të të gjithë shqiptarëve. Në këtë situatë të gjithë po presim se çfarë do të ndodhë. Kjo farë klase politike do të pjellë Republikën e Re, apo çfarë tjetër? Sepse gjithë klasa politike ka një synim të veçantë: të arrijë të kapë nën sqetull drejtësinë. Asgjë tjetër nuk do, bile nuk do as pushtetin para drejtësisë. Vetëm atë nuk do t’ia lejë në duar kundërshtarit politik. Kjo është bash arsyeja e vërtetë çfarë po ndodh nëpër Shqipëri. Ndërsa vetë shqiptarët e dinë se me ndër me thënë drejtësia është kapur e gjitha nga pushteti familjaro – politik i ngritur gjatë këtyre 27 viteve me të vetmin synim: ngritjen e oligarkisë që të mund të punojë vetëm për klanin familjaro – politik të instaluar tashmë si një rrjetë merimange në gjithë trupin e sëmurë të Shqipërisë.

 

 I organizuar mbi baza nepotiko – familjare tashmë i gjithë rrjeti shtetëror, po edhe i drejtësisë duhet ta pranojmë të gjithë se është kapur katërcipërisht nga oktapodi familjaro-politik, tentakulat e të cilit janë shtrirë gjithandej nëpër trupin e Shqipërisë. Aq sa thuajse është e pamundur shërimi i shpejtë i Shqipërisë. Është kjo arsyeja që edhe ne shqiptarët që ende kemi mbetur në këtë vend me emrin Shqipëri, të gjithë mendjen e kemi të ngritur për të ikur. Deri në këtë derexhe kemi arritur ne shqiptarët.

 

 Ndërsa të gjithë bërtasin se nuk duan t’ia lënë në duar tjetrit drejtësinë, askush nuk pyet shqiptarët se në duart e kujt është vërtetë drejtësia, që kur u mbush me lukuninë e plazhistëve të Durrësit? Që nga koha kur Shqipëria po hidhte hapat e parë drejt demokracisë, në të vërtetë ne nuk kemi patur drejtësi, po thjesht monstra të çuditshme që arritën të përçudnonin Shqipërinë.

 

 Kanë kaluar plot 25 vjeç që kur plazhistët e Durrësit dolën nga veza dhe menjëherë i dhanë vetes nofkën: jemi ne të plotfuqishmit. Menjëherë mbi shumicën e shqiptarëve, ata u dukën si supermenët e çuditshëm, ndërsa si skllevër përballë klasës politike që u dha jetë e forcë për ta mbrojtur.

 

 Janë plot arsyet që para se të mendojmë për Republikën e Re të mendojmë për zëvendësimin e kësaj klase politike që ka zhytur shqiptarët në vlugun e dëshpërimit. Tashmë të gjithë e shohim se, pandëshkueshmëria e kësaj klase politike ka arritur deri atje sa nuk mund të nënshtrohet nga ndokush edhe pse gjithë shqiptarëve u ka sjellë aq shumë vuajtje, ua ka sjellë në majë të hundës. Ndodh kështu sepse është kjo klasë politike që ka ndërtuar një Drejtësi plotësisht të nënshtruar, që nuk di gjë tjetër vetëm t’i shërbejë me besnikëri grupit oligark dhe kësaj klase të çuditshme politike.  Të dalë tashmë një shqiptar që mund t’i besojë kësaj fare klase politike që ndër vite ka menduar vetëm për xhepin e saj. Ajo e di mirë se nuk mund të dënohet, pasi mbrohet nga kjo me nder me thënë drejtësi që i ka mbetur në derë shqiptarëve. Një drejtësi që fut në burg hallexhinj që i kanë mbetur borxh OSHEE-së 3000 lekë, ndërsa i lë të livadhisin vjedhësit e milionave, por që kanë zënë vend të nderuar në radhët e klasës politike, apo të grupit oligark.

 

 Se ç’monstër është kjo farë drejtësie mjafton të kujtojmë Gërdecin, ku u vranë edhe fëmijë duke luajtur në oborrin e shtëpisë, ndërsa askujt nuk i hyri asnjë gjemb në këmbë, edhe pse i madh dhe i vogël u çudit se si ka mundësi të instalohet një linjë demontimi predhash aq pranë banesave. Dhe vazhdon të heshtë pa ndërprerje kjo palo klasë politike që është fajtorja kryesore për Gërdecin, kjo farë drejtësie që pa asnjë lloj morali e mbylli shpejt e shpejt dosjen “Gërdeci” me justifikimin: “aksident teknologjik”. Ç’aksident teknologjik ishte kur demontoheshin predha as 100, apo 200 metra larg shtëpive të banimit? Këtë mund ta dijë vetëm kjo farë drejtësie që di ta justifikojë Gërdecin me urdhër të klasës politike.

 

 Në këto kushte, kur klani i juristëve durrsakë, tashmë i kthyer në milionerë të plotfuqishëm, pasi ka kryer lloj-lloj poshtërsirash po mbrohet në mënyrë të paepur nga klani i palo politikës që ka sunduar në mënyrën më të paskrupullt mbi këtë popull, të cilit i ka shkaktuar vetëm vuajtje të pafundme. Është kjo arsyeja që të gjithë së bashku janë kthyer tashmë kundër Vettingut.

 

 Të paktën shqiptarët e lodhur nga varfëria e mjerimi duan të dinë pak të vërteta. Të vërteta se pse po zvarritet nga BE hapja e negociatave? Jemi fajtorë ne shqiptarët e thjeshtë, apo është fajtore kjo farë klase politike që ne ende kemi nëpër këmbë?  Janë të gjitha këto arsyet që te shqiptarët po rritet edhe më dëshpërimi, janë këto arsyet që shqiptarët po shohin të ikin nga sytë këmbët, janë këto arsyet që shqiptarët po i nxitin fëmijët të aplikojnë për studime në universitetet e botës, apo të mund të punësohen diku andej. Ndodh kështu sepse shqiptarët janë mbuluar nga dëshpërimi dhe nuk shohin një rrugë dalje efikase për vete dhe fëmijët e tyre. Kjo është arsyeja pse Shqipëria po shpopullohet me shpejtësi.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Share this article