Home | Opinion | Njefare ideje e identitetit Europian

Njefare ideje e identitetit Europian

Font size: Decrease font Enlarge font
image Zv/drejtor i Institutit Universitar të Studimeve të Larta të Pizës

« Të jesh europian do të thotë të kërkosh të merresh vesh, në planin moral, intelektual dhe ekzistenciel, mbi idealet dhe praktikat e ndryshme të qytetit të Sokratit dhe atij të Isait.»

Nga  Salvatore Veca


Profesor filozofie politike


Në libërthin e tij të shkëlqyer "Njëfarë ideje e Europës",  George Steiner heton mbi mëdyshjet e identitetit europian. Në këtë Nexus Lecture të dhjetë të mbajtur në Amsterdam, ai përvijon pesë kritere, ose më saktë, siç i quan vetë, pesë aksioma. E para është aksioma e kafeneve : « Europa është ajo e kafeneve të saj. » E dyta është peizazhi i saj i humanizuar : « Europa ka qenë dhe mbetet "e përshkueshme në këmbë". » Emrat e rrugëve dhe të shesheve janë kriteri i tretë që e bën Europën një vend kujtese par excellence. E katërta është ajo e dy qyteteve, Athina dhe Jeruzalem. « Të jesh europian do të thotë të kërkosh të merresh vesh, në planin moral, intelektual dhe ekzistenciel, mbi idealet dhe praktikat e ndryshme të qytetit të Sokratit dhe atij të Isait. » Kriteri i fundit është vetëdija mbi rastësinë e saj të vet dhe mbi mundësinë e shembjes. Një temë e shtrenjtë kjo për Paul Valéry, i cili përmend bukurinë dhe tmerrin e shekullit të sapo përfunduar. Me kujtesën e së keqes, që në Europë i ka pasur rrënjët dhe në Europë ka sjellë aftësinë për ta gjykuar.

Teksti i Steiner na fton të kërkojmë arsyet e dëshirës sonë për të qenë së bashku, dëshirë e cila na lejon të njihemi njëkohësisht si trashëgimtarë dhe si « projektues » të mënyrave të jetesës bashkë, të convivere, të denjë për lavdërime në një botë ku arti i të qenurit bashkë po kalon sfida të vështira. Mënjanë këtij teksti, unë do të doja të nxjerr tre parashtrime për të hedhur dritë mbi idenë e identitetit europian.

E para është e thjeshtë : kur në diskutim hyn një argument si ai i identitetit, mund të jetë e nevojshme të përmendim veçoritë e çdo pyetësimi në lidhje me të ; domethënë të shtrojmë pyetjet mbi kriteret e pranimit të diçkaje si vetë kjo diçka në kohë. Çështjet e identitetit janë çështje njohjeje dhe pranimi. Kjo është një mënyrë për të mbërthyer kriteret e njohjes së diçkaje si vetë kjo diçka – në rastin tonë – si një diçka e cila mbledh në mënyrë të qëndrueshme në kohë miliona vetë (të cilët mund ta njohin veten si europianë) dhe të aftë të rrëfejnë një histori. Me fjalë të tjera : ne jemi kush jemi për aq sa ne jemi bërë çka jemi, në kohë dhe në udhë e sipër përmes përvojash dhe gabimesh, ndërmjet rastësi dhe domosdoshmëri. Fakt është që një identitet europian nuk jepet pa këtë aftësi për t’i përdorur kriteret e pranimit tonë dhe pa pranimin e njëfarë mënyre të përbashkët për të rrëfyer një histori të mbushur me historira të ndryshme dhe të kundërta. Një identitet është promemoria e një procesi që i zhyt rrënjët e tij në një të shkuar e cila, në disa raste, vjen si përgjigje ndaj projektit tonë europian. Pa projekt, ska proces.

Ja çështja e dytë. Kur ne pyesim veten kush jemi, ne bëjmë një pyetje në lidhje me identitetin tonë. Por ne duhet të dallojmë mirë ndërmjet këtyre dy pyetjeve të afërta : ne mund të pyesim çfarë jemi por kjo është ndryshe nga pyetja kush jemi. Shumësia e historive dhe rrëfimeve është një përgjigje e mirë ndaj pyetjes çfarë jemi. Por kur bëhet fjalë të dimë kush jemi, hartat dhe dosjet e Analeve nuk mjaftojnë. Duke pyetur veten kush jemi, ne pyesim gjithashtu kush duam të jemi. Me fjalë të tjera : të thuash kush jemi, kjo është të thuash projektin tonë për veten në kohë. Të marrim një shembull që ka të bëjë me debatin mbi rrënjët judeo-kristiane të Europës. Ne jemi të bindur se një pjesë e rëndësihme e historisë europiane përkon me përvojën e përplasjes ndëmjet pushteteve mbi shpirtrat dhe trupat, me artin e ndarjes ndërmjet sferave të pushtetit politik dhe atij fetar, me përvojën e luftrave fetare, luftrave të stërgjyshërve tanë fondamentalistë, dhe me traktate paqeje të cilët hapnin mundësinë e tolerancës, dhe pikërisht artin e ndarjes ndërmjet arenave të së vërtetës dhe të drejtësisë. Për të kapur veçorinë dalluese të një historie europiane, ne duhet të sqarojmë hapësirën e mundësisë që këto episode rastësore iu kanë lënë atyre që pasojnë.

Dhe unë lexoj këtu një maksimë politike dhe moraliteti e cila na përcjell të mbajmë të denjë për lavde këtë pamje të institucioneve dhe praktikave shoqërore të cilat e rrisin mundësinë e « bashkëjetesës » civile të qëndrueshme, dhe që, në një larmi të vazhdueshme historish dhe besimesh, përkufizojnë domethënien e fundit të jetës së tyre. Ngulmimi i mospajtimit është në vetë kodin gjenetik të demokracisë. Ky rezultat nuk është i pamundur, por ai është i vështirë dhe si gjithmonë jo i përhershëm.

Çështja e tretë nuk është tjetër veçse një parashtrim i thjeshtë. Nëse identiteti europian është rezultati i një projekti dhe i një procesi, nëse çështja kush jemi është gjithashtu një çështje kush duam të jemi, kjo do të thotë që ne jemi zotuar në dhe për një Europë të ardhshme. Kjo është një shprehje disi solemne e dashur për një filozof po aq të rëndësishëm sa shpesh tejet solemn, Jacques Derrida, i cili i bën thirrje përgjegjësisë sonë kundrejt fëmijëve tanë. Unë bëj pjesë tek ata që e shohin euron si një pushtim politik të jashtëzakonshëm. Arritja më e mirë që ne kemi arritur të ndërtojmë në një botë të vështirë dhe të lakmuar ndërmjet fuqish perandorake.

Sidoqoftë, kjo do të jetë një e mirë për bashkëbanorët e tjerë të këtij planeti ; për të gjithë ata që, siç thoshte Kanti i vjetër, janë të destinuar të takohen një ditë apo tjetër ngaqë Toka është e rrumbullakët. Besnikëria e Europës ndaj Dritave dhe projekti i saj i ri është vënë në sfidë nga romantizmi politik, nga rikthimi i shovinizmave të vjetër dhe nga vështirësitë e qeverisjes në një botë të globalizuar. Këto tre çështje elementare do të mund të linin në dukje njëfarë rreziku të një shembje të projektit europian. Jo për ne vetë, por e përsëris, për të gjithë. Ose për ta thënë ndryshe : Europianë, Europianë, ende dhe një përpjekje!


 Libération, 7 janar 2009  


© Urim Nerguti, 2009 për përkthimin shqip.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
No tags for this article
Rate this article
5.00