Home | Politics | " Eksporti" i trurit shqiptar

" Eksporti" i trurit shqiptar

Font size: Decrease font Enlarge font
image

Shqiptarët mund të krenohen për rritjen gjithnjë e më shumë të eksportit të trurit. Një fenomen që nuk di të ndalet.

 

      

 

Nga Ilirian Demiri

 

 

 

Ne shqiptarët sikur na e ka qejfi të shesim pa asnjë doganë patriotizëm. Bile për këtë edhe krenohemi në sy të të tjerëve. Sapo i largohemi këtij tregu, menjëherë mendojmë për veten, veçanërisht si t’ia arrijmë të largohemi diku jashtë këtij vendi të mbjellë vetëm me varfëri. Të largohemi për një jetë më të mirë, se në këtë Shqipëri, “do mbetemi për jetë të varfër”. Këtë e dinë tashmë gjithë shqiptarët, pasi ky, vendi ynë është I zaptuar krejtësisht nga një grup oligark dhe një familje që ka bërë be të mos e lëshojë ndonjëherë pushtetin nga duart e veta. Vetëm për pushtetin, shqiptarët dinë të mbajnë fjalën… Se, për gjë tjetër, ëëhhëë … nuk ia thonë kushedi çfarë. Edhe për një gjë tjetër tashmë mund të krenohen. Shqiptarët mund të krenohen për rritjen gjithnjë e më shumë të eksportit të trurit. Një fenomen që nuk di të ndalet. Çdo i ri sapo mbaron studimet e larta, ose punësohet kamarier në Tiranë, ose largohet jashtë vendit. Kjo i ka bërë të shumtët që mbarojnë me nota të larta të mesmen të shikojnë mundësinë e largimit me studime diku jashtë këtij vendi me emrin Shqipëri.

 

Ja, këto ditë janë të shumtë të rinjtë që po largohen për studime jashtë vendit. Një numër shumë më i madh se ai i vitit të kaluar, bile nga staticienët bëhet e ditur se numri i të rinjve që kanë shkuar për të studjuar jashtë është dyfishuar në krahasim me 2 vjet më parë. Një tregues që evidenton mosbesimin e shqiptarëve te reformat që po kryhen në sektorin e arsimit. Këtë e tregon edhe fakti se, të gjithë pushtetarët, oligarkët, të gjithë bashkë I dërgojnë fëmijët e tyre me studime jashtë. Aq sa sot, Universitetet në Shqipëri u ngjajnë sallave të lojrave, ku të rinjtë shkojnë për të kaluar kohën. “Më shumë jemi nëpër klube, se në leksione gjatë vitit shkollor. Edhe pedagogët jo rradhë mungojnë. Për këtë askush nuk u thotë gjë. Kështu ne na mbetet t’i drejtohemi klubit. Këtë e dinë të gjithë. Po heshtin ndaj kësaj dukurie. Në provime në shumë raste paguajmë dhe marrim notën, pa ua hapur kapakët dispencave”, tregojnë vetë studentët.

 

Se e tillë është situate reale në arsimin e lartë, pa të gjithë oligarkët, të gjithë politikanët, të gjithë pushtetarët, që nga ish komunarët e deri te presidentët, apo gjyqtaro – prokurorët që nuk dinë se ku t’i çojnë lekët, i dërgojnë fëmijët me studime jashtë. Dhe janë vetëm këta që edhe mund të gjejnë ndonjë vend pune në këtë Shqipëri, ku pisllëku sundon me shumicë. Se për ata, që mbarojnë universitetin brenda vendit, i vetmi vend pune është ai i kamarierit në rastin më të mirë.

 

Se ndodh kështu, pa edhe ata që nuk kanë para, përpiqen t’i dërgojnë fëmijët jashtë me studime. Bëjnë çmos për këtë duke i këshilluar: pasi të mbarosh studimet, mos u kthe, po punësohu e qëndro atje. Këtu as nuk mund të punësohesh, as mund të ndërtosh një jetë normale. Përderisa gjithçka këtu është në duart e oligarkisë e të një familjeje në pushtet. Në këtë Shqipëri duket se gjithçka ka marrë fund”.

 

Ndodh kështu edhe për një arsye tjetër. Vendi ynë i vogël është mbushur me “specialistë” me diploma false, apo të blera me lekë në tregun e lirë. Apo specialistë që kanë marrë provimin pa hapur fletën e librit. Të tillë i kemi juristë (të famshmit plazhistë të Durrësit që tashmë janë bërë milionerë) … e ç’nuk kemi tjetër. Na thuhet sot se në administratën shtetërore kemi me qindra nëpunës me diploma false. Të tillë me diploma false, apo të blera i kemi edhe politikanë, juristë e kushedi çfarë tjetër. Të gjithë kanë frikë ta hetojnë këtë dukuri, pasi mund t’u dalë një vëlla, motër, kushëri etj, etj., i pajisur me të tillë diploma false që ka zënë rehat – rehat një vend pune në administratë si pjesëtar i familjes që është.

 

Se kemi të tillë “specialistë”, këtë tashmë e dinë gjithë shqiptarët. Aq sa sot na dalin më të ndershëm biznesmenët. Ka prej tyre që e pranojnë se kanë blerë 2 – 3 diploma, po i kanë blerë për hobi, ndërsa vazhdojnë udhën e biznesit të tyre. Pa iu përzier ndokujt në administratën shtetërore. Vetëm ndonjërit i pëlqen të merret me politikë. Ndërsa sot, nga ndonjëri, në këtë Kuvend që sapo ka nisur punën për të bërë ligje sot për sot e nesër për nesër, numri i biznesmenëve është rritur mjaft. Sepse edhe atyre u ka pëlqyer deputetllëku që ua mbron biznesllëkun. Kështu në këtë parlamentin e ri kemi fiks 36 biznesmenë me nga 2 – 3 diploma (ndoshta edhe më tepër, se kush ua ka numëruar), kemi edhe fiks 36 juristë (prisnim të ishin më shumë, pasi tani thuajse të gjithë shqiptarët janë juristë) etj., etj.

 

Problemi është si mund të ndryshohet situate, që duket se është qelbur e gjitha? Tashmë të gjithë e dimë se administrata është pushtuar nga mediokriteti, nga blerësit e diplomave që janë pjesëtarë të familjes në pushtet. Ndaj është vështirë t’i largosh ata, bile po shihet se është vështirë të largosh edhe ata që kanë blerë direkt diplomën, pa blerë dëftesën e arsimit të mesëm. Kemi edhe raste të tilla groteske që kjo administratë i kalon pa bërë zë.

 

Se është në një shkallë të tillë arsimi në Shqipëri, pa biznesmenë, politikanë e plaçkaxhinj gjithfarësh i dërgojnë fëmijët e tyre për studime jashtë vendit. Ndërsa këtu mbesin vetëm fëmijët e fakir fukarenjve. Ka prej tyre që ia gjejnë anën dhe e dërgojnë fëmijën me studime jashtë. “Kam marrë kredi ta dërgoj fëmijët me studime jashtë. Vetëm kështu mund të vijë e të punësohet këtu. Pasi po shohim kush mbaron shkollën brenda dhe nuk ka miq e familjarë në pushtet mund të punësohet vetëm kamarier edhe nëse ka mbaruar shkëlqyeshëm arsimin e lartë. S’kemi ç’bëjmë. Në këtë derexhe është katandisur kjo Shqipëria jonë”,- na thotë një tregtar i fruta perimeve te tregu i lirë.

 

Natyrisht një arsye më vete e rritjes së interesit të shqiptarëve për të studjuar jashtë veç punësimit në tregun evropian, është edhe fakti se kostoja e arsimimit edhe brenda vendit ka ardhur gjithnjë në rritje. “Rritet pagesa për shtetin, në shumë raste edhe pagesa për profesorin për të të dhënë një notë kaluese”, tregojnë studentët. Në këto kushte, më mirë një diplomë nga jashtë përmes së cilës punësimi bëhet më i lehtë dhe më i sigurtë. Se kësaj të brendshmes nuk i besojnë as vetë shqiptarët, pale të tjerët.

 

 Largimi e të rinjve për studime jashtë vendit tashmë është kthyer në një fenomen i natyrshëm. Një largim që paralajmëron edhe rritjen e përmasave të eksportit të trurit. Një fenomen që tashmë ka rritur shqetësimin e intelektualëve të mbetur ende brenda vendit. Gjithsesi mbetet vetëm një shqetësim, pa patur ndonjë rrugëzgjidhje efikase. Pasi në kushtet kur vendi drejtohet nga një pushtet oligarko – familjar, vështirë se i shkon mendja ndokujt të bëjë thirrje për të parandaluar fluksin në rritje të largimit të të rinjve. Apo të moskthimit të të rinjve që shkojnë për t’u arsimuar dhe harrojnë të kthehen në vendin amë. Bile edhe kërkesat për studime edhe brenda vendit kryhen me vështrimin për t’u larguare jashtë pas mbarimit të studimeve. Është kjo arsyeja që kërkesat për të studjuar në Universitetin e mjekësisë zënë vendin e parë. Sepse përmes këtij profesioni mund të largohesh më lehtë jashtë. “Kështu vetëm vitin e kaluar nga vendi ynë u larguan 145 mjekë, ndërsa deri tani këtë vit kanë marrë certifikatën për t’u larguar 125 mjekë”,- bën të ditur Presidenti i urdhërit të mjekut, Fatmir Brahimaj.

 

 Largimi i mjekëve ka sjellë edhe mungesën e tyre veçanërisht në zonat rurale. Ndërsa largimi i tyre për t’u punësuar jashtë vendit është një tregues kuptimplotë i situatës reale në të cilin ndodhet vendi ynë. Eksodi i trurit është prej kohësh një sinjal alarmi për gjendjen katastrofike në të cilin ndodhet vendi ynë. Dhe e gjitha kjo është rrjedhojë e kësaj me nder me thënë klase politike që ka vetëm synimin të pasurohet sa më shpejt vetë duke e shkatërruar gjithë vendin. Kjo ka sjellë tashmë edhe shpopullimin e plotë të shumë fshatrave tona.

 

Ndodhemi në prag të një situate katastrofike, nëse nuk merren masa të shpejta shërimi, masa që vështirë se mund t’i marrë kjo farë klase politike që ne kemi ende nëpër këmbë. Është e domosdoshme të mendohet një rrugëzgjidhje për afrimin e specialistëve dhe jo vetëm të gjysmëanalfabetëve të familjes. Kryesorja është që vendet e punës nuk duhen lënë si deri tani të tregtohen nga familja, e cila e ka mbushur tashmë gjithë administratën me gjysmëanalfabetë që dinë vetëm të tërheqin lekët në bankomate, por jo të kryejnë ndonjë punë. 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Share this article