Home | VIP | Pse kandidoj për njësinë bashkiake nr:3?

Pse kandidoj për njësinë bashkiake nr:3?

Font size: Decrease font Enlarge font
image Shkrimtari Artan Mullaj

Intervistë me shkrimtarin Artan Mullaj.

 

 

 

 


Pyetje: Z. Mullaj. Ju jeni  shkrimtar i njohur në Shqipëri dhe në diasporë por edhe analist, piktor, një  intelektual i kthyer vitet e fundit në Shqipëri, mbas një periudhe të gjatë emigrimi jashtë vendit. C’mendoni për klasën intelektuale në Shqipëri. A është ajo në pararojë të zhvillimeve tona?
 
Artan Mullaj: Intelektualët shqiptarë zakonisht heshtin. Disa këtë heshtje e marrin për modesti, ndërsa publiku sheh, dëgjon edhe vlerëson gjithnjë e më pak njerëz  përkushtuar shkencës dhe krijimit. Arsyeja është e thjeshtë. Në kohën tonë, shumë intelektualë kanë gjithnjë e më pak arsye të harxhojnë kohën e tyre me pasione që nuk shërbejnë për asgjë. Përkundrazi, çdo ditë e më shumë, studiuesit kanë arsye të ndihen inferiorë, jo për pasionet e shuara të tyre, por për furinë e sukseseve të njerëzve të zakonshëm që nuk bëjnë punë intelektuale, nuk kanë tituj e grada shkencore, por jetojnë më mirë se ata. Në Shqipëri, gjeografia e sukseseve ka një shpërndarje kaotike, ku vështirë të funksionojë ligji i shkakut dhe i pasojës, si dhe ligjet e tjera të arritjeve. Në këtë shpërndarje kuturu të pasurisë, mundësive  dhe përfitimeve, të cilat gjithashtu sfidojnë kapitalizmin dhe të gjitha sistemet e tjera, suksesi nuk është i parashikueshëm dhe as i shpjegueshëm. Mbase kjo është arsyeja që intelekti nuk e ka ndihmuar komunitetin e intelektualëve të jetë në pararojën e atyre që ëndrrat i bëjnë realitet. Mbase është tjetër gjë! Në një ekonomi informale, ku mbretëron kaotizmi dhe në një shoqëri ku intelektualët ngjajnë aq më mediokër sa më shumë synojnë të zhvillojnë natyrshëm ambiciet dhe idetë e veta, konform ligjeve, shanset nuk janë të mëdha për ata. Intelektualët tanë duken të zhgënjyer fort me qetësinë e tyre murgërore dhe me rrogat e turpit që shteti iu jep për mëshirën e nostalgjisë së krijimeve dhe hulumtimeve që nuk bëhen kurrë. Shumica e tyre bëjnë sikur merren me shkencë dhe studime, bëjnë sikur përpiqen të shtojnë njohuritë dhe kualitetet e tyre, bëjnë sikur krijojnë,por në të vërtetë ëndërrojnë njëlloj si disa kolegë të tyre, të merren me politikë... Edhe pse shpesh supozohet që si mendimtarë, janë shumë të pastër për të funksionuar në mes të baltës dhe batakut, siç supozohet  zakonisht politika te ne, ajo ka qenë dhe është një joshje e fortë për mendjet e shquara.


Pyetje: Atëhere, politika është ëndra juaj? Edhe ju jeni joshur prej saj? Prandaj  po futeni në garë për njësinë bashkiake nr 3?

A Mullaj:Po thoja se shumë intelektualë  e kanë kuptuar qysh herët se politika ofron famë dhe pasuri, të surprizon shpesh me lavdi të pamerituar dhe të vesh me vlera që nuk i ke dhe të jep njohje publike që nuk ke guxuar ta imagjinosh më parë. Politika është treguar dashamirëse me intelektualët e parë që kthyen sytë nga ajo për të shpëtuar nga robëria e pagesave mujore dhe për të qenë historikë. Dhe kishin të drejtë. Intelektualët e parë që bënë politikë sot janë krenarë që aftësitë e dikurshme intelektuale i kanë zëvendësuar me reflekse marketingu, për të fuqizuar më shumë bizneset që iu dha politika, për disa, edhe abuzimet me të. Prandaj joshja e re e të tjerëve, që hezituan atëherë, është e natyrshme sipas logjikës “më mirë vonë se kurrë”, dhe kjo gjë shpjegon një gjallërim të interesit intelektual për të hyrë në politikë vitet e fundit. Ky gjallërim nganjëherë përfundon në babëzi. Të kthehemi tek pyetja juaj. Përse po hyj në politikë, duke kandiduar për Partinë Socialiste në Njësinë Bashkiake nr 3. Me sa thashë më lart, në njëfarë mënyre i bëra një paragjykim ambicies sime. Megjithatë, ka një ndryshim, dhe kam një alibi për këtë gjë. Unë kam jetuar një kohë të gjatë në perëndim, cka më jep cilësinë të gjykoj situatën  e vendit tim, realisht. Ky krahasim e nxjerr Shqipërinë në një pejsazh të shëmtuar.  Kjo shëmti është edhe shkaku se përse gjithnjë e më pak shqiptarë të emigracionit kanë dëshirë të kthehen në vendin e tyre..  Duke krahasuar me modelet e shteteve publike të vendeve perëndimore, që funksionojnë persosurisht për të mirën kolektive të shtetasve të tyre, mendoj se duhen bërë pak gjëra për të sjellë shumë ndryshime tek ne, mjafton që këto gjëra të bëhen ndershmërisht, si i bëjnë ata, europianët. Dhe sepse besoj që ekzistojnë mundësi reale për qeverisje të mirë, në shërbim te komunitetit, po hyj në këtë garë për të vërtetuar pikërisht këtë gjë, se po, jemi në kohë, mundemi të vetqeverisemi denjësisht, ndershmërisht dhe politika mund të jetë një hob i shëndetshëm, por edhe një mjet civilizimi dhe zhvillimi, mjafton vullneti i mirë dhe përzgjedhja e duhur.. Unë jam një shkrimtar, ndjej se e kam këtë vullnet dhe kam ndjeshmëri civile për cështjet publike. Për më tepër që në Shqipëri po gjëmojnë këmbanat e një fataliteti të paralajmëruar. Mëndjet e shquara dhe intelektualët duhet të marrin vendime, të marrin pjesë, të kontribojnë, në një orëvajtje të fundit dhe të vështirë, për të shmangur katastrofën. Drejtësi nuk ka. Integritet nuk ka. Plera, pisllëk, padrejtësi, korrupsion, mafje, borxhe publike, poshtërim, varfëri, cinizëm qeveritar, shtet privat, vrasje në boulevard, ndërkombëtarë të paqartë. Cfarë duhet më shumë se kaq për tu zgjuar?
 


Pyetje: Meqë jemi te ndërkombëtarët. Si e gjykon shkrimtari Artan Mullaj  qëndrimin e tyre ndaj krizës politike në vend?


A.Mullaj: Ambasadori amerikan Arvizu tha: tragjedi të tilla si Gërdeci apo 21 Janari, nuk duhet të ndodhin më. Por nuk shtoi që për të mos ndodhur më, duhen ndëshkuar fajtorët. Fajtorët nuk janë ndëshkuar dhe pak gjasa ka të ndodhë ndonjëherë. Kam caste kur mendoj se ndёrkombёtarёt nuk e kanё seriozisht Shqipёrinё. Ndodh qё dyshoj se nuk janё tё sinqertё me ne. Ёshtё e qarte se lektorёt e demokracisё perёndimore dhe publiku opzitar shqiptar,  nuk kanё patur kёto kohё njё komunikim tё shёndetshёm mes tyre. Fenomeni  i trishtё ka plot gjasa tё ketё filluar qysh nga darka e Krokodilit. Marrja seriozisht e Shqipёrisё, nga ana e tyre, qё atёhere, ishte dhe ёshtё njё lajm i mirё pёr shqiptarёt, dhe do tё ishte njё lajm shumё i mirё, nёse kjo ishte dhe vazhdon tё jetё njё orёvajtje e sinqertё. Por a ёshtё ndikimi i ndёrkombёtarёve njё orёvajtje e sinqertё, apo, ata e shohin kёtё vend me lenten e interesave  të tyre? Pyetje e vёshtirё! Sidoqoftё, nuk ёshtё e kotё tё supozosh se realisht ka njё problem me qёndrimin e ndёrkombёtarёve ndaj nesh, që nuk është thjesht cilёsia e dobёt e mardhёnies sё tyre me krizat e tranzicionit tonë, dhe  as serioziteti i munguar i tyre, qё duket nё dritёn e diellit, ndёrsa, herё e kanё me tёrё mend dhe lёshojnё nervozё ultimatume  tё kuqe,  si flakë përbindëshi, herё pothuaj thonё, bёni si tё doni, s’na plas fare pёr ju, s’merritoni mё shumё.

E thёnё ndryshe, problemi me ndёrkombёtarёt, ёshtё nё fakt perceptimi substancial qё ata kanё jo pёr lirinё e tyre, por pёr lirinё dhe demokracinë e tё tjerёve. Mendoni çdo tё ndodhte nё Francё apo nё New York, nёse do kishte dyshime jo pёr vjedhjen e pushtetit, por pёr vjedhjen e njё vote tё vetme.  Pёrfytyroni tё shpёrthente Gёrdeci nё Gjermani, larg qoftё, dhe gishti i akuzёs ti drejtohej nё ballё kancelares.. Ose, merreni me mend se ç’histeri do ta pёrfshinte Greqinё e shkretё, nёse adoleshenti i vrarë 3 vjet më parë aksidentalisht nga një polic, të ishte qëlluar gjakftohtë nga Garda greke e Republikës, si u qëlluan për vdekje 4 qytetarët tanë.  Kur është fjala për ne, ata bëjnë thirje për qetësi, për vetpërmbajtje, për dialog. Dialog për cfarë? Dialog me kë? Me një kryeministër, përfaqësues i një pale, pushteti i së cilës ka vrarë njerëz të shqetësuar në boulevard?  Negociata me një mazhorancë, nënshtrimi fatal i së cilës ndaj liderit dhe verbëria politike, dhe mediokriteti politik, i kanë  kaluar neveritshëm kufijtë e arsyes, aq sa kjo mazhorancë të hedhë baltë kolektive mbi fisnikërinë që rezaton  përpjekja e vetmuar e kryeprokurores së vendit për drejtësi dhe integritet?  Ndёrkombёtarёt e dinё qё e dinё se nё Shqipёri mungon shteti publik dhe politkanёt sillen si pronarё milionerё dhe baronё jo vetёm tё pushtetit, por edhe tё fatit tё mjerё tё qytetarёve tё kёtij vendi, prej tё cilёve votohen.  Dhe europianёt, pse jo edhe amerikanёt, e dinё qё e dinё se drejtёsia nё Shqipёri  ёshtё njё ёndёrr mё e vёshtirё nga ç’ёshtё pёr shqiptarёt njё darkё romantike te “Krokodili”, ndёrkohё qё qartёsisht nё Shqipёri, por jo rastёsisht, shteti sillet ndaj lirisë si dikur kisha katolike nё kohёn e Galileut,  me njё ndryshim, se ёshtё e pamundur ky shtet tё ketё ndonjёherё vrasje ndёrgjegjie pёr mёkatet e tij.

 

Pyetje:Klasa politike, sidomos në fushatën e fundit elektorale, pati premtuar instalimin e një shteti ligjor në Shqipëri. A mendoni se është mbajtur ky premtim? A funksionon tek ne shteti ligjor?

 

A Mullaj: Fakti qё shteti shqiptar ngjan me një biznes privat, nuk është  i thjeshtë sa një vëmendje aktorësh, për të mos qënë realitet. Privatësia e shtetit shqiptar dhe e pushtetit është shndruar në një karakteristikё kombёtare. Administrata private zakonisht janë diktaturat, por mund të jenë  edhe demokracitë e trazuara, ku ekonomia e tregut dhe biznesi janë perceptime të vrazhda shtetarësh që synojnë ta venë shtetin në shërbim të lavdisë dhe babëzisë së tyre, sikundër ndodh rëndom edhe tek ne.. Këto perceptime ngrihen mbi kontradiktën që ekziston mes misionit dhe vizionit të njerëzve që qeverisin dhe bëjnë politikë…Shumëkush mund të verë në rradhë politikanët pasanikë të rinj potencjalë. Kush janë ata në një vështrim rrëmbimthi? Janë pikërisht ata, kundërshtarët më të spikatur të kundërshtarëve të vet dhe militantët kobëmëdhënj, që trazojnë ndërgjegjien e qytetarëve të thjeshtë me mediokritetin e tyre. Këta shkojnë në punë edhe në restorante  me foristrada 100mijë euroshe dhe kanë vëllezër, kunetër, baxhanakë deri edhe të dashur apo të dashura bjonde fitues tenderash e koncensionesh apo zoterues monopolesh në tregun më të mjerë të Ballkanit.. Fuqia e këtij poshtërimi kësisoj nuk është rastësi, por fatalitet i ndёrgjegjshëm dhe i paramenduar, po aq sa zhvillimi është i kushtëzuar nga injoranca në pushtet. Tregu në Shqipëri nuk është treg, por kopësht pjellor i pronarëve të shtetit, ku mbjellin dhe korin familjarët e tyre dhe besnikët e tyre. Këta besnikë janë drejtorat qelizorë që nuk ju hyn kurrë asnjë gjemb në këmbë çfarëdo që të bëjnë me ndërmarjet dhe institucionet, sepse as shefave të tyre nuk ju plas kurrë për asnjë gjë. Vartësit e pushtetshëm janë të nevojshëm aty ku janë, si fshikullues të fatit njerëzor dhe pasurisë njerëzore në bazën e piramidës. Mbi ta është maja. Deputetët fodullë të mazhorancave që sillen me ministritë dhe me istitucionet e shteti privat si me kunatat e tyre.. Dhe pastaj maja e majave ёshtё ekzkluziviteti ekzekutiv i shtetit privat..
Ka disa pyetje për koment, që nuk duan përgjigjie, sepse pёrgjigjiet merren me mend. Kush janë bizneset më të fuqishme në vend, dhe pse? Kush janë mediat më të pushtetshme në vend edhe pse? Sa janë të korruptuara gjykatat dhe pse? Pёrse prokuroria nuk ka rol nё jetёn publike, ku akuzat shthuren e shtohen pёrditё? Sa trasparencë ka për qytetarët dhe përse psherëtimat e tyre paralajmërojnë se të tillë nuk mund të ketë në këtë vend? Pse disa media sillen ngrohtësisht rreth pushtetit, si kamarjeret nё lokalet e natёs joshin klientёt e pasur? Pёrse e vёrteta qё thuhet nga ato ёshtё e paqartё si nata dhe pёrse, shpёrfillshёm, shpesh  zbatohen projekte gabim dhe shpenzohen para publike gabim të marra borxh gabim në bankat gabim brenda dhe jashtё. Të gjithë e dimë, përgjigjia është e thjeshtë: në Shqipëri ekziston shteti privat. Ç’është shteti privat? Është një pronë. Pronë e kujt? Pronë e pushtetit.
Ashtu si diktaturat,  shtetet private në vende me demokraci të sëmurë si Shqipëria, kanë momentet e veta, që bëjnë diferencën edhe mallkimin. Nuk vlerësohen vlerat civile, por shërbimet private të bazës për kupolën. Aftësia nuk është kriter, sepse besnikëria është kusht për karierë. Liderët e kanë përpjekur fort kokën në përzgjedhjen e njerëzve që mbajnë rrotull, jo sepse ju intereson profesionaliteti dhe intelektualiteti i tyre. Ekipet nuk janë të tilla, por janë klane besnikësh, me dyer të mbyllura. Ku janë vizionarët e pushtetit, ambicjet e tyre, në këtë kohë të mbrekullueshme për të bërë karierë publike, sepse problemet janë sa një mal? Nuk ka! Nuk ka, sepse ky është një shtet privat, që ushqen vetëm lakmitë. Ku janë ndryshimet dhe sidomos, pse nuk ekziston sinqeritet për mungesën e tyre. Rreth vicioz, rrugë pa dalje, hapësirë boshe, sepse ne, ndryshe nga fqinjët perëndimorë që aspirojmё, jemi të dënuar dhe të ndëshkuar të jetojmë nën thundrën shtypëse të një shteti privat.
Korrupsioni nuk është rastësi në shtetin privat të  shqiptarëve.  Është një kusht themelor. Është shkaku i shndruar në pasojë dhë anasjelltas, për të përligjur, apo së paku shpjeguar dukurinë dhe dinakërinë e pushtetit. Lidhja është e fuqishme. Korrupsioni është kushtetuta e heshtur e shtetit privat, neni i parë i së cilës flet për manipulimin zgjedhor. Ky manipulim është si trokitja e parë e fatalitetit publik të taksapaguesve. Çfarë ndodh për rrjedhojë? Korrupsioni nuk është vetëm vjedhja dhe pandershmëria teorike e pushtetit, por edhe ushqimi real i pushtetit. Përposh demagogjisë për luftën zero tolerancë, fshihet nënqeshja e autorritetit privat. Pushteti e di se korrupsioni i thellë do të thotë qeverisje e gjatë dhe liderë që piqen, digjen e mplaken në politikë.. Korrupsioni krijoi legjendën e fodullëkut kryeministror, që si një kurorë e mbajtën paraardhësit dhe e mban edhe sot kryeministri i shqiptarëve, 20 vjet pa pushim e pambarim. Si mund të ndriçohet jetëgjatësia publike e liderëve shqiptarë? Me privatësinë e pushtetit.. Nëse je në pushtet, nuk është se bën çfarë të duash, por rri sa të duash, rri sa të ngopesh, rri sa të jesh gjallë, nëse je i pangopur. Dhe nëse je gjatë, gjallë dhe sidomos nëse je i pangopur, ja se ku ke në aurorë një sundimtar, mandat pas mandati.


 
Pyetje: Të flasim për zgjedhjet. Në kushtet e një shteti privat që thoni, a  mendoni se do të kemi zgjedhje të rregullta në 8 Maj? 

A: Mullaj. Afrimi i zgjedhjeve në Shqipëri shkakton në ndërgjegjien e shqiptarëve një emocion të zi. Gjithmonë, ashpërsia e paralajmëruar e tyre, rast pas rasti, ka krijuar perceptimin kolektiv se vendi duhet të pregatitet për një luftë psikologjike, dhe aspak për një festë demokracie, si do duhej të ishte. Mazhoranca aktuale ndodhet në një minorancë të rrezikshme, dhe për këtë shkak, të gjithë e dimë që ajo do të shndrohet në një makineri të fuqishme terrori për qytetarët. Shteti privat i Sali Berishës do të përdorë këtë herë të gjitha energjitë rezervë kundër opozitës, paratë me shumicë, shpifjet, presionin, korrupsionin elektoral, jo thjesht sepse këtë herë ju duhet fitorja, por sepse humbja, dhe humbjet me rradhë, do ta delegojnë fatin e disa krerëve të saj, herët a vonë, drejt drejtësisë. Kjo e ndez më keq situatën elektorale, dhe prandaj, opozita duhet të jetë e qartë me plotësimin e kushteve të sigurisë së zgjedhjeve. Sigurinë e zgjedhjeve në Shqipëri nuk e afrojnë deklaratat me “mund” dhe “duhet” të ambasadorit amerikan apo presidentit të vendit, por veprime  konkrete. Nëse nuk sigurohen kushte të mjaftueshme për ndershmërinë e zgjedhjeve në 8 Maj, dhe nëse duhet ende kohë për t’i  patur ato, opozita duhet të kërkojë, pse jo, shtyrjen e tyre. Pse na qënkërka “I patundshëm 8 Maji?” Vetëm pasuritë e patundshme janë të tilla.


 
Pyetje: Ti kthehemi letërsisë. Ju keni botuar 4 romane, njëri prej të cilëve, best-seller, jeni përkthyer edhe në gjuhë të huaj. Cdo të thotë të jesh shkrimtar, të shkruash?


A.Mullaj: Të shkruash është diçka e thjeshtë. Është e thjeshtë, gjykuar kjo si një nevojë shpirtërore për të çliruar shpirtin, apo dëshmuar shkëndija optimizmi në përpjekjen e gjithkujt për të njohur vetveten. Por të shkruash mirë është tjetër gjë. Është një kënaqësi e vështirë, që shkon drejt një gëzimi të pastër…Ankthi i krijimit që buron nga vetëdija për të qënë një shkrimtar serioz, e bën edhe më të vështirë të shkruarit: e bën të mundimshme, nganjëherë cfilitëse këtë gjë, këtë punë. Zakonisht unë marr brumin nga vetja, skalitjen e krijon vetiu pastaj historia, furia e ngjarjes, komplikacionet që sjell rriti letrar gjatë orëvajtjes për të mposhtur vështirësitë folklorike të të shkruarit, që përmenda më sipër. Gdhëndja e një personazhi nuk është diçka që mund ta kesh nën kontroll, ndërsa ai ndryshon ashtu si ndryshojnë faqe pas faqe planet e veprës. Asnjëherë asnjë personazh, nuk perfundon ai tipi që fantazon në fillim. Mua zakonisht më dalin nga kontrolli, dhe jo rrallë, personazhet e mi, dora dorës, janë më të mirë, më të këqinj, apo mjaft më të ndryshëm nga çdo doja unë, sepse krijimi ka kurthe të paparashikuara, në të cilat shkrimtari bie pa kuptuar. Kurthe identiteti, që mund të supozohen si ndryshime perceptimesh thelbësore, që nuk mund të ndodhin veçse gjatë seancave të krijimit. Kështu që, është si një mjet fluturues pa drejtues brenda; e hedh në hapërsirë, dhe ai fluturon kuturu, pavarësisht nga ai që e ka krijuar, sipas ligjeve të lirisë së punës intelektuale..  Unë asnjëherë nuk guxoj të fshihem mbrapa dikujt që ka tagrin e protagonistit, asnjëherë nuk i bëj zgjedhje që do ti kisha bërë realisht nëse do të gjendesha në vendin apo rolin e dikujt, personalitetin e të cilit e kam krijuar vetë…
 
 

Pyetje:  Si është zakoni juaj i të shkruarit. Krijimi, a ka ndikim në jetën tuaj?

  

A.Mullaj.  Ulem dhe shkruaj cdo ditë herët në mëngjes, deri në mesditë. Nuk bëj plane paraprakisht, nuk ndërtoj struktura, gjithçka funksionon sponatanisht bazuar në sigurinë se krijimi është diçka që nuk varet drejtpërdrejt nga unë, por organizohet në nënqënien time, potencialisht. Gjithçka ndodh magjishëm brenda meje, në këtë interval kohe, gjatë të cilit, tek shkruaj, ndjehem si të jem brenda një tuneli, plot me të papritura, sfida, shkaqe që sjellin pasojat e dëshirave të mira, dhe duke shkruar gjithashtu,, përpiqem të jem gati në përballje me to. Pasi mbaroj, ndihem i raskapitur, kthehem në jetën reale pas një udhëtimi të lumtur nga një botë që është shumë afër asaj që do doja të ishte, por shumë larg kësaj ku jetojmë. Deri në agimin e mëngjesit tjetër, kur filloj të shkruaj sërish, ndihem si një murg ortodoks. Mendoj, deshpërohem, marr pjesë, si gjithë njerëzit e tjerë,gjykoj dhe kërkoj modestisht që mes komunitetit ku jetoj të ketë më shumë ndershmëri dhe drejtësi. Dhe kështu papushim.
 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
No tags for this article
Rate this article
5.00
Share this article